Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për presidentin e Republikës së Kosovës, me të cilin synohet të rriten përfitimet e presidentit, pasi ta ketë kryer mandatin.
Me këtë ndryshim, presidenti do të barazohet me zyrtarët e lartë që përfitojnë sipas Ligjit për përfitimet e ish-zyrtarëve të lartë të Republikës së Kosovës, pasi që deri më tani në Ligjin paraprak ka qenë i përjashtuar, shkruan sot Koha Ditore.
Paga e presidentit pasi të jetë larguar nga Zyra e Presidencës do të jetë 70 për qind e pagës aktuale dhe nuk do të jetë e kufizuar në kohë.
Ligji aktual për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë përcakton kriteret se cilët persona konsiderohen ish-funksionarë të lartë në Kosovë, të drejtat që u takojnë në bazë të funksionit të ushtruar me parë dhe procedura e realizimit të këtyre të drejtave.