Mungesë angazhimi e nisma të dobëta legjislative nga ana e Ekzekutivit në fushën e luftimit të korrupsionit ka gjetur dokumenti teknik “Shqyrtimi i kornizës institucionale dhe operacionale të Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës”.
Në dokumentin e hartuar nga një ekspert i Këshillit të Evropës (në dokument nuk i përmendet emri), në kuadër të “Projektit kundër krimit ekonomik në Kosovës”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe që është implementuar nga ky i fundit, thuhet se Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) është e stërngarkuar me detyra që kanë ndikim të ulët në zbulimin, zbutjen dhe parandalimin e rreziqeve të korrupsionit dhe që nuk korrespondojnë me pritjet publike për misionin dhe qëllimet e agjencisë.
Dokumenti në të cilin thuhet se qëndrimet e shprehura nuk mund të konsiderohen se pasqyrojnë opinionin zyrtar të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, potencon se reforma e propozuar duhet të shkojë në drejtim të lirimit të AKK-së nga një varg detyrash administrative dhe të rikualifikimit dhe rishpërndarjes së fuqisë punëtore të saj në fushat në të cilat Agjencia mund të ketë një kontribut pozitiv në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.
Dokumentin të cilin e ka siguruar gazeta nga burime të veta është hartuar në janar të këtij viti. Në mënyrë zyrtare atë kanë refuzuar ta japin Zyra e Këshillit të Evropës në Kosovës, zyrtarja e së cilës ka thënë se ai duhet të kërkohet në AKK. Ndërkohë që këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje as në kërkesën e gazetës për të pasur dokumentin e as në atë se si i vlerësojnë gjetjet e tij. …
© KOHA.