Nënkryetari i qeverisë së Bullgarisë, Krasimir Karaçanov, ka akuzuar pushtetin e Maqedonisë Veriore se përhapin urrejtje ndaj bullgarëve, duke thënë se në fund të debatit për identitetin nacional doli edhe se “Jezu Krishti ka qenë maqedon”.
– Që nga koha e Jugosllavisë e mësojnë popullatën të urrejë… shqiptarët, grekët dhe bullgarët. Dashuri ushqejnë vetëm ndaj Serbisë e serbëve. Për ta jemi tatarë, fashistë e okupatorë – ka thënë Karaçanovi, transmeton gazeta “S. Bosna”.
Zyrtari bullgar tha se, duke gjykuar nga debati që ka vazhduar për muaj të tërë, kombi maqedonas ka ekzistuar që nga koha e apostullit Pal dhe se “Jezu Krishti ishte maqedonas”.
Deklarata e njeriut të dytë në qeverinë Bullgare pasoi një seri kritikash nga zyrtarët evropianë ndaj autoriteteve në Sofje, të cilat bllokuan fillimin e negociatave midis Maqedonisë Veriore dhe BE-së, duke kërkuar që çështjet e hapura të identitetit kombëtar të zgjidheshin paraprakisht.
Në vitin 2017, Bullgaria dhe Maqedonia nënshkruan Marrëveshjen mbi miqësinë, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit, të cilën Shkupi e konsideron si parakushti të vetëm për fillimin e negociatave me BE-në.
Nga ana tjetër, autoritetet në Sofje besojnë se para fillimit të negociatave, është e nevojshme të zgjidhen çështjet që lidhen me identitetin kombëtar maqedonas, dmth çështjen e gjuhës dhe identitetit të heronjve kombëtarë, përfshirë Georgi Nikollov Dellçevin.
Në thelb, Sofja po përpiqet të ndalojë kërkesat që maqedonasit në Bullgari të njihen si pakicë kombëtare, e cila thuhet se do të zgjidhet kur Shkupi të pranojë që gjuha dhe identiteti maqedonas kanë rrënjë bullgare.
Bullgaria është i vetmi vend që bllokon nënshkrimin e marrëveshjes së menaxhimit të kufirit midis Maqedonisë Veriore dhe Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojes Bregdetare.
Sofja këmbëngul që gjuha maqedonase, për më tepër, të quhet gjuhë zyrtare e Republikës së Maqedonisë Veriore, ose në raste të caktuara fusnota me një shënim në fund të faqes me shpjegimin: “Sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë Veriore”.