Qeveritë me Izraelin, popujt me palestinezët – “Nuk protestojmë për fe, por për Palestinën”
Po mblidheshin për të protestuar kundër bombardimeve të Izraelit në Gaza dhe për t’i dhënë mbështetje popullit palestinez. Pranë transparenteve me simbole palestineze po radhiteshin edhe flamujt shqiptarë e turk, ndërsa protestuesit filluan edhe me thirrje islamike.
Ngjyrosja e protestës me fe dhe kombësi, bëri që protestuesit disa herë të kishin konflikte ndërmjet vete. E për këtë protestuesit u ndanë në dy grupe.
“Ne erdhëm për Palestinën. Nuk erdhëm as për Allahun, as për Jezu Krishtin dhe për askënd. Erdhëm për Palestinën”, thanë protestuesit.
Njëri nga protestuesit tha se Izraeli është agresori që është duke e prishur paqen në botë.
“Të vrasësh një njeri, është sikur të vrasësh njerëzimin, dhe të shpëtosh një njeri, është sikur të shpëtosh njerëzimin. Pra, humanja qëndron te njerëzorja dhe njerëzorja është të renditesh në anën e të shtypurit, kundrejt agresorit i cili po e prish ekuilibrin e qenies njerëzore në botë. Nëse bota dëshiron qetësi, qetësia duhet të fillojë nga Palestina nga Mesxhidul Aksa”, deklaroi Furkan Idrizi, protestues.
Protestuesit nga ana tjetër i bënë thirrje OKB-së që të mbajë seancë urgjente dhe t’i jepet fund luftës në Gazë.
“Stop okupimit të Gazës! Stop bombardimeve! Stop shpërnguljes me dhunë! Nuk ka vend për shtete etnike të pastra. Dërgojmë mesazh deri te Bashkësia ndërkombëtare edhe përkundër të gjitha të këqijave që ka bërë në të kaluarën, të gjejë forcë e OKB të mbajë seancë e të bisedohet për situatën në Izrael”, shtoi Zoran Vasilevski.
Organizatorët e protestës dënuan ashpër shtetet të cilët mbështesin Izraelin dhe të drejtën për t’u vetëmbrojtur nga sulmet terroriste.
“Protestojmë dhe dënojmë të gjitha qeveritë në botë të cilat hapur i mbështetën fjalët e presidentit amerikan, Bajden, ose të ashtuquajturën “të drejtën e Izraelit” që të vetëmbrohet përderisa i largojnë palestinezet nga shtëpi të veta. Parashtrohet pyetja a nuk ka të drejtë Palestina të mbrohet?”, tha Xhejlane Veliu.
Në mbrojtje të Palestinës, ka qenë i pranishëm edhe një sirian, Man Mahmallad, mjek i cili për 35 vjet jeton në Maqedoninë e Veriut. Ai tha se është për të ardhur keq ajo që po ndodh me palestinezët.
“Vë bast me cilindo politikan në botë, nëse ekziston një politikan në Izrael që gjyshi ose stërgjyshi i tij është i lindur në Palestinë! Ata janë të ardhur aty që nga ‘47 .Nga viti 1947 as Kombet e Bashkuara e as Organizatat për të drejtat e njeriut, nuk e mbrojnë popullin palestinez. Sot populli palestinez po i mbrojnë shtëpitë e veta. Problemi filloi kur izraelitet të shpërngulur nga gjithë bota morën një lagje në Jerusalem”, tha ai.
Protesta solidarizuese për palestinezët janë mbajtur në Kosovë, Serbi, Bosnje Hercegovinë dhe shtete të tjera./TV21