Gazetare: Melihate Rustemi
Qindra qytetarë i dhanë lamtumirën e fundit këngëtarit të grupit “DNK”, Andrej Gjeorgjieski dhe pesë anëtarëve të tjerë të këtij grupi muzikor që humbën jetën në tragjedinë në Koçan, shkruan Alsat.
Ceremonia mortore për Gjeorgjieskin fillimisht nisi në morgun e Butelit ku ishte vendosur arkivoli i këngëtarit tashmë të ndjerë ndërkohë që qytetarët po bënin homazhe pranë tij.
Përveç nga Shkupi, qytetarët që morën pjesë në këtë varrim ishin thuajse nga të gjitha qytetet tjera të vendit dhe kjo dëshmohej nga numri i madh i makinave me targa të ndryshme të qyteteve.
Familjarët, miqtë dhe kolegët e Gjeorgjieskit nuk mbanin dot lotët në sy derisa flisnin për takimet e fundit me këngëtarin tashmë të ndjerë Andrej Gjeorgjieski. Gjithashtu, në varrezat në Butel ceremoni mortore u zhvillua edhe për këngëtarin Martin Atanasovski Buco i cili shoqëroi grupin “DNK” në natën tragjike.
Anëtarja tjetër e grupit dhe njëkohësisht profesoreshë në Fakultetin e Muzikës, Sara Projkovska u varros në varrezat në Lisiçe e cila gjithashtu u përcoll nga qindra qytetarë, posaçërisht dashamirës të muzikës dhe artit.
Varrimi i muzikantit të ri nga Strumica, bateristi i grupit, Gjorgji Gjorgjiev, u bë në varrezat e qytetit në Strumicë. Ndërsa në Shtip janë varrosur Filip Stefanovski, Aleksandar Kolarov dhe Aleksandar Efremov, të cilët ishin gjithashtu pjesë e grupit./ Alsat.mk