Gazetar: Bashkim Sulejmani
Qindra shtëpi të lagjes 146 në Tetovë, prej më shumë se dy dekada vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Banorët thonë se ujin e sigurojnë përmes çezmës në pjesën e poshtme të lagjes, ose blejnë nga dyqani. Punimet kanë filluar, ndërsa banorët kërkojnë përshpejtim pasi situata është e padurueshme.
“Ujë kemi por i turbullt është, ujë të turbullt kemi. Një orë ka dhjetë nuk ka. Në këto temperatura paramendoje ma si jemi. Kemi shpresë se do na e sjellin ujin sepse na kanë premtuar, por a do të bëhet apo jo nuk e dimë. Kanë filluar punimet, por a do vazhdojnë apo jo se di. Na ka premtuar se do na e sjellin ujin”, tha një banor.
“Lagja Bregu i Diellit nuk ka ujë të pijshëm, nga puset cisternat mbushim kështu mbytemi tash e 25 vite me radhë. Thonë se punojnë atje dhe janë duke u përpjekur ta furnizojnë lagjen me ujë të pijshëm. Premtime kemi tash e 25 vite gjitha strukturat na kanë rrejt vazhdimisht”, u shpreh një banor.
Kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se punimet kanë nisur, por për shkak të terrenit të papërshtatshëm, punët shkojnë ngadalë.
“Po punohet intensivisht lartë. Për momentin në komunë të Tetovës janë mbi pesë projekte që janë duke u realizuar. Në këtë situatë nuk bëjmë fushatë, andaj nëse doni, mund bashkë të dalim dhe të shohim punimet që bëhen, por, terreni është shumë i papërshtatshëm dhe punimet nuk ecin ashtu siç duam ne. Por në momentin që po flasim ka punime në terren, unë besoj që shpejtë edhe ky ujësjellës do jetë në përdorim për qytetarët e lagjes 146”, deklaroi Bilall Kasami.
Përveç mungesës së ujit të pijshëm, një pjesë e shtëpive të kësaj lagjeje, përballen edhe me problemin e legalizimit të shtëpive të tyre, sepse një pjesë e madhe e tyre, përkatësisht rreth 60 të, janë të ndërtuara në tokë që i takon Bashkësisë fetare Islame. /Alsat.mk