Rreth 500 persona janë evakuuar të martën nga Shtëpia e Operës në Sidnej të Australisë dhe nga restorantet përreth për shkak të rrjedhjes së gazit, teksa zjarrfikësit kanë bërë të ditur se janë duke e monitoruar shkallën e gazit në atmosferë pas incidentit.
Departamenti i Zjarrit dhe Shpëtimit në New South Wales ka shkruar në “Twitter” se ekspertët e gazit janë duke mbajtur nën kontroll gjendjen, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.
Departamenti nuk ka dhënë hollësi të mëtutjeshme rreth tipit të gazit apo shkaktarit të rrjedhjes. Një gazetë australiane ka shkruar se rrjedhja ka ndodhur, kur tubacioni kryesor i gazit me presion të ulët është goditur gjatë punimeve të restaurimit.
Nuk raportohet për ndonjë të lënduar nga incidenti. Shtëpia e Operës, e cila është në listën e Trashëgimisë së mbrojtur kulturore, është një prej ndërtesave më emblematike në botë dhe më e famshmja në Australi.