Ish-komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi është duke qëndruar në Klinikën Otorinolaringologjisë për shkak të problemeve shëndetësore.
“Zyra për informim QKUK, ju konfirmon se për shkak të problemeve shëndetësore, z. Selimi është i shtrirë në Klinikën e Otorinolaringologjisë”, ka thënë Zyra për Infromim e QKUK-së për Gazetën Insajderi.
Ish-komandant, Selimi është shtrirë në spital para tri ditësh, për tu rikthyer një ditë në burg dhe pastaj sërish në QKUK.
Si pasojë e problemeve shëndetësore, Selimi nuk dihet nëse do të intervistohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila i kishte dërguar ftesë për intervistim ish-komandantit të UÇK-së në fund të vitit 2018.
Burimet i kanë thënë Insajderit se Selimi intervistimi i Selimit nuk ishte planifikuar të ndodhë në Hagë, por në Kosovë. Intervistimi i tij ishte planifikuar të bëhej gjatë javës së dytë të janarit, kishin raportuar mediet javën e kaluar.
Selimit, gjatë kohës sa po shërbente si Ambasador në Tiranë, EULEX-i i ngriti aktakuza për krime lufte, në dy rastet e njohura si “Drenica” 1 dhe 2.
Në fund të dy proceseve, ish-Komandanti i Përgjithshëm i FSK-së u dënua më 14 vjet dënim unik, për të dy rastet; për krime lufte ndaj popullatës civile.
Gjykata Supreme e kishte kthyer në rigjykim rastin “Drenica 1”, rast në të cilin Gjykata e Apelit, Sylejaman Selimit i kishte vërtetur 6 vite burgim për “Tortura ndaj civilëve”.
Ndërkohë, Supremja, në shtator të 2018, për të dytën herë Sylejman Selimit i vërteton dënimin unik prej 7 vite burgim për krime lufte, në Drenica 2.