Pas stuhisë, e shoqëruar me erëra të forta, shi dhe reshje lokale të rrëmbyeshme, në disa zona të vendit u regjistruan dëme materiale, pemë të rrëzuara, struktura çatish të dëmtuara, ndërprerje të energjisë elektrike dhe pasoja të tjera, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).
Në rajonin e Shkupit pas orës 17:00, mbi 9,000 thirrje nga qytetarët u morën përmes Numrit të Vetëm të Emergjencës 112, ku shumica e tyre kishin të bënin me pasojat e stuhisë. Rastet më të raportuara janë pemët e rrëzuara, automjetet dhe strukturat e çatisë të dëmtuara, kabllot elektrike të këputura, shtyllat e rrëzuara dhe dëme të tjera. Raportet kanë të bëjnë me të gjithë territorin e Qytetit të Shkupit, duke përfshirë të gjitha komunat.
Në rajonin e Pollogut në territorin e Tetovës nuk janë regjistruar raste serioze që kërkojnë ndërhyrje emergjente. Janë regjistruar dëme të vogla materiale, ndërsa shërbimet kompetente janë në terren duke e ndjekur situatën. Situata është stabile dhe nën kontroll.
Në rajonin e Vardarit (Veles, Sveti Nikollë, Llozovë, Kavadar dhe Negotinë) janë regjistruar pasojat e stuhisë, duke përfshirë: pemë dhe degë të rrëzuara; struktura çatish dhe strehë të dëmtuara; kabllo elektrike të këputura. Njësitë e zjarrfikësve, kompanitë e shërbimeve publike, policia dhe ekipet e EVN-së janë angazhuar në terren. Në pjesë të Sveti Nikollës, Llozovës, Çashkës dhe vendbanimeve përreth ka ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të dëmtimit të infrastrukturës elektrike. Në zonën industriale në Kavadar, për shkak të telave të rrëzuar elektrikë, është shkaktuar një zjarr, i cili është lokalizuar menjëherë.
The post QMK: Stuhia e fortë la pasoja në të gjithë vendin — mbi 9,000 thirrje u morën nga 112 në Shkup appeared first on Alsat.



