Adem Demaçi ishte dhe mbetet Baca Adem, i gjithkohshëm në historinë e popullit shqiptar si i gjithkohshëm me emrin e tij, me veprën dhe lavdinë e tij. Kështu ka shkruar akademik, Rexhep Qosja.
Qosja tha se në ditët e luftës çlirimtare, disa e vallëzonin vallen e paqes turpëruese nën dhunën dhe terrorin e regjimit serb, e i dhuruan Bacës Adem mohime, denoncime, përjashtime, fyerje.
“Ata të tjerët që pas luftës e bënë dhe po e bëjnë demokracinë e privuan Bacën Adem prej çdo mundësie që të bëhej çka para të gjithëve i takonte të bëhej: që të bëhej i pari i Madh i Kosovës. Nuk i lejuan të bëhej kryetar i Kosovës; nuk i lejuan të bëhej as kryetar e kryeministër. Prej ish-të burgosurve politikë u propozua që të bëhej deputet i Kosovës, por nuk e lejuan kandidimin e tij as për deputet ata që edhe për kandidime vendosnin”, ka shkruar Qosja.