Quni: Vonimi i Speciales nuk varet nga ne

Ish-përgjegjësi i Batalionit vëzhgues në Zonën e Dukagjinit, njëherësh deputet i LDK-së, Anton Quni, ka thënë se finalizimi i Gjykatës Speciale nuk varet prej institucioneve të Kosovës, pasi që ashtu si ai është shprehur, Kosova i ka përmbushur kriteret.

“Ngecjet dhe zhagitjet nuk janë çështje që varen nga ne. Kosova i ka përmbushur detyrat e saj në krijimin e infrastrukturës juridike të Gjykatës Speciale, përfshirë këtu aprovimin nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Holandës”, ka thënë ai për “Zërin”.

Quni tutje, ka thënë se vonesat janë rezultat i procedurave të shtetit të Holandës, ku edhe pritet ta ketë selinë Gjykata Speciale.

Ndryshe, pas emërimit të David Schwediman-it në krye të Prokurorisë Speciale, pritet që aktakuzat e para të ngrihen në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.