Gazetar: Adnan Qaili
Çmimet e garantuara vazhdohen edhe për muajin shkurt. Qeveria vendosi që masa për ngrirje të çmimeve të produkteve ushqimore dhe pijeve jo alkoolike të vazhdohen deri më 29 shkurt.
“Me ndryshimet e miratuara në vendimin ekzistues, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, kufizimi i çmimit zgjatet deri më 29 shkurt 2024, në vend të datës 31 janar 2024, për disa lloje të produkteve ushqimore bazë, përkatësisht: orizin, miellin, bukë dhe produkte të tjera buke, biskotave, politankave, makarona, mishit dhe produkte mishi, qumësht, vezë, kaçkavall, djathë dhe produkte të tjera të qumështit, ujin natyral dhe të gazuar, dhe lëngjet pa gaz dhe të gazuar si dhe llojeve të caktuara dhe birrës së lehtë”, njoftojnë nga Qeveria e RMV-së.
Nënkryetari i Lidhjes së sindikatave të Maqedonisë për sektorin privat Ivan Peshevski kërkoi shtimin e mbikëqyrjes nga Inspektorati i tregut dhe nga Inspektorati i punës, sepse vërehen rritje të çmimeve çdo ditë në shitjet me pakicë nëpër markete. Ai tha se në gjithë vitin 2023 në sektorin e ushqimit dhe pijeve jo alkoolike ka pasur shtrenjtim të vazhdueshëm sipas shportës së konsumit.
“Kjo do të thotë se nuk po japin fryt masat e qeverisë për ngrirje të çmimeve ose nuk i respektojnë ato masa tregtarët e marketeve dhe secili pasurohet në shpinë të qytetarëve sepse nuk ka inspektime dhe gjoba, sipas vendimeve. Nuk ka mënyrë tjetër përveç se ti denoncojmë keqpërdorimet, duke mbrojtur të drejtat e qytetarëve me paraqitje të rasteve në inspektoratet, që ne si konsumatorë ta ndjejmë fuqinë blerëse, të ketë vlerë rritja e pagave dhe jo paraprakisht ta na hajë inflacioni paratë që i fitojmë”, tha Ivan Peshevski, Nënkryetar i LSM për sektorin privat.
Nga Ministria Ekonomisë thonë se masat janë vazhduar ngaqë kanë treguar rezultate të dukshme, duke krahasuar inflacionin e vitit të kaluar që ishte mbi 20% për produktet ushqimore dhe pijet jo alkoolike, kurse inflacioni i përgjithshëm ishte 14,5%. Sipas resorit të ekonomisë aktualisht inflacioni ushqimeve është 0,1%, ndërsa inflacioni përgjithshëm nuk e kalon kuotën e 3,5% në nivel vendi. Ky vazhdim i jep mundësi Kuvendit që brenda muajit shkurt të miratoj Ligjin për parandalimin e praktikave jo korrekte tregtare, që sipas Qeverisë është rasti i parë në gjithë Evropën për iniciativën e një ligji të tillë që do të kufizoj marzhën e fitimit të shitjes me shumicë dhe pakicë, jo më të lartë se 10%. /Alsat.mk