Gazetare: Andrea Cobanova
– Advertisements –
Qytetarët e Shkupit nesër do të kenë ngrohje qendrore, ndërsa kompanisë Ballkan Enerxhi nuk do i merret licenca, thonë burime qeveritare për Alsat.
Qeveria hollësitë do t’i zbardh pas orës 19:00.
Nga BEG për Alsat thonë se në Qeveri vazhdojnë bisedimet.
Sipas tyre, nuk bëhet fjalë për heqjen e licencës, sepse i janë referuar Ligjit për Kriza, sipas të cilit, shteti është i obliguar të sigurojë ngrohje në kohë krize.
“BEG i referohet nenit 33 të Ligjit për Kriza për t’i dhënë Qeverisë mundësi ligjore për të siguruar financim për konsumatorët e ngrohjes. Kjo nuk do të thotë heqje e licencave. Negociatat janë ende në vazhdim mes BEG dhe Qeverisë”, thonë nga BEG.
Në këtë nen, sipas Ligjit për kriza, thuhet se në rast krize, resurset e shtetit mund të shfrytëzohen për tejkalimin e krizës.
“Në rast krize mund të shfrytëzohen burimet e ndërmarrjeve publike, institucioneve dhe shërbimeve, si dhe të shoqërive tregtare që kanë rëndësi të veçantë për të punuar në krizë, në përputhje me ligjin”, thotë Ligji i Krizave, neni 33.
BEG i referohet gjendjes së shpallur zyrtarisht të krizës energjetike në vend. Ditët e fundit qeveria i ka ofruar BEG-ut që të sigurojë garanci bankare në mënyrë që të marrë kredi 8 milionë euro përmes Bankës Zhvillimore.
Opsioni i dytë është që në llogari t’i hidhen 6 milionë euro që qytetarët të marrin fatura me çmimin e vjetër. BEG i refuzoi të dyja ofertat./ Alsat.mk