Gazetar: Avni Tahiri
Qyteti i Shkupit me muaj nuk dha përgjigje në pyetjet e dërguara për fatin e parkut botanik në Karposh, ndërsa pas transmetimit të kronikës në Alsat, reagoi përmes avokatit.
Avokati përmes postës elektronike kërkonte përgënjeshtrim dhe kërkim falje për lajmin, duke pretenduar madje se për këtë çështje nuk janë dërguar fare pyetje në Qytetin e Shkupit, ndërsa Alsat dëshmon të kundërtën.
Në adresë të Qytetit të Shkupit më 17 shtator të këtij viti është dërguar pyetja se “Deri ku janë punimet për parkun botanik në lagjen Karposh 4”, por që nga ajo datë Qyteti Shkupit nuk gjeti kohë për të dhënë çfarëdo përgjigje.
Në reagimin e përfaqësuesit ligjor të Qytetit të Shkupit theksohet se një park tjetër botanik është ndërtuar në Karposh, por nga ana tjetër nuk mohohet as fakti që hapësira nga ura në Vllae deri te ura e verdhë nuk ka përfunduar, por madje thotë se duhet të bëhet pjesë e rëndësishme e infrastrukturës së gjelbër të kryeqytetit.
Alsat i bën thirrje Qytetit të Shkupit të përgjigjet ndaj interesit të gazetarëve, në interes të opinionit publik, si një detyrë civile dhe morale ndaj mediave dhe çdo taksapaguesi.
Kujtojmë se edhe më herët, ALSAT ka dërguar pyetje por sikurse në shumë raste, Qyteti i Shkupit nuk është treguar transparent në kohë, ose nuk kthen përgjigje, ose i kthen ato me shumë vonesë. / Alsat.mk