jë javë pas vrasjes së 63-vjeçarit Petrit Zifle zbardhen motivet e krimit ku autor është një 44-vjeçar i partisë me prirje të forta ekstremiste Agimi i Artë. Konflikti për emrin e Maqedonisë dhe sulmi që erdhi për shkak të etnisë së 63-vjeçarit. Vdekja e katërt e shqiptarëve brenda një muaji në Greqi që pas ekzekutimit në Bularat të Kostandin Kaçifas. Kryeministri Rama flet për marrëdhënie të mira mes vendeve dhe së shpejti priten “marrëveshje të mëdha”.
Jeta e një shqiptari emigrant në Greqi u pre në mes nga dora e një ekstremisti grek, pas një debati në lidhje me etninë. I vrarë mbeti 63-vjçari Petrit Zifle, ndërsa autori i krimit sipas policisë greke është një 44-vjeçar, anëtar i Partisë Agimi i Artë, me prirje të forta ekstremiste. Sipas mediave greke gjithçka ka nisur pas një debati që Zifle pati me ekstremistin grek në një lokal në Drakotina të Korfuzit. Pas konfliktit verbal, greku është larguar duke e kërcënuar se do e vriste Ziflen dhe kjo ka ndodhur pak orë më vonë. Ai u qëllua për vdekje me armë gjahu çifte dhe më pas trupin ia hodhi në një kanal pranë një rruge. Ky është rasti katërt brenda një muaji që qytetarët shqiptarë vriten në shtetin fqinj në rrethana mjaft të dyshimta. Më herët, në afërsi të kufirit shqiptaro-grek u eliminua nga policia greke 39-vjeçari Altin Mulla. Ai humbi jetën në shkëmbim zjarri me forcat greke të cilët ishin vënë në ndjekje pasi dyshohej se Mulla po kalonte një sasi lënde narkotike. Pa u zbardhur ende kjo ngjarje, një tjetër shqiptar, u gjet i vrarë me mjete të forta në rrugët e Athinës. Nuk u mbyll vetëm me kaq, por në rrethana të dyshimta më 25 nëntor të këtij viti, në burgun e Trikalasë në Greqi u gjet i pajetë një 35-vjeçar me shtetësi e kombësi shqiptare. Ende nuk dihen rrethanat e vdekjes, ndërsa autoritetet shtetërore në Greqi shprehen se kanë nisur hetimet. Seria e jetëve të humbura të shqiptarëve që jetojnë në Greqi nuk po mbyllet dhe më e fundit ngjan edhe më e rëndë. Emigranti Petrit Zifle, që njihej si qytetar i mirë në zonën ku jetonte, tashmë është i vdekur nga dora e një elementi me pikëpamje ekstremiste, për më shumë anëtar i një force politike që ka zërin e saj edhe në Parlamentin e Greqisë. Shqiptari i vrarë brutalisht Petrit Zifle nuk kishte asnjë të shkuar kriminale, por të dhënat e fundit forcojnë edhe më shumë dyshimin se u ekzekutua mirëfilltas për çështje etnike. Kjo është pohuar nga një pjesë e mediave greke që edhe zanafillën e konfliktit mes 63-vjeçarit Zifle dhe ekstremistit grek e lidhin pikërisht me një debat për çështjen e emrit të Maqedonisë dhe më pas fyerjeve me sfond racial dhe të kombësisë. Autori i krimit është arrestuar dhe ka pranuar vrasjen duke u justifikuar se pasi ishin konfliktuar me fjalë vendosi ta ekzekutonte. Pasi e vrau me gjakftohtësi nuk u mjaftua me kaq por e tërhoqi trupin e pajetë zvarrë për ta hedhur në një kanal në mënyrë që të fshihte gjurmët. Gjithçka e kryer me paramendim nga 44-vjeçari që ishte eksponent i rëndësishëm i partisë Agimi i Artë në zonën e Korfuzit. 4 jetë të humbura të shqiptarëve në Greqi në javët e fundit, korrespondojnë që të gjitha pas ekzekutimit të Kostandinos Kaçifas nga forcat speciale shqiptare në Bularat të Gjirokastrës. Ai u vra në përplasje me armë me policinë dhe që nga ai moment nisi “histerizmi ekstrem” nga pala greke, përfshi edhe institucionet shtetërore që për disa ditë e tensionuan situatën.
Zyrtarët e tulatur
Deri në mbrëmjen e vonë të ditës së djeshme asnjë nga institucionet shqiptare nuk ka reaguar për ngjarjen e rëndë, përfshi Ambasadën tonë në Athinë dhe Ministrinë e Jashtme shqiptare. Autoritetet e drejtësisë greke shprehen se autori do të përballet me akuzën e vrasjes me paramendim, por në raste të tilla kur çështja shkon deri në vendimin përfundimtar nga gjyqësori, autorët janë dënuar fare pak, pavarësisht krimit të rëndë që kanë kryer. Në Greqi Petritin e quanin “Petro” dhe ky emigrant qytetar i mirë kishte vite që jetonte në atë zonë dhe nuk kishte patur asnjëherë problem me drejtësinë. Urrejtja e shkaktuar sidomos pas vdekjes në Bularat të Kostandin Kaçifas i ka hedhur edhe më shumë benzinë “zjarrit nacionalist” grek, të përfaqësuar nga Agimi i Artë dhe elementë të tjerë me prirje të forta ekstremiste. Nëse një ngjarje e “ngjashme” do kishte ndodhur në vendin tonë, do kishte një mal me reagime nga institucionet shtetërore greke. Vdekja e 63-vjeçarit për shkaqe etnike nuk po konsiderohet “ngjarje e rëndë” nga autoritetet tona, që edhe pse krimi ka një javë që ka ndodhur nuk është gjetur koha për të patur interesim në lidhje me këtë çështje.
Rama: Marrëdhënie të mira me fqinjët grekë…
Kryeministri Edi Rama i ka karakterizuar si “historike dhe tradicionale marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë në një intervistë me drejtorin e Përgjithshëm të agjencisë greke të lajmeve, ANA-MPA, Michalis Psilos. “Është një marrëdhënie historike dhe tradicionale dhe siç ndodh gjithmonë me fqinjët, nuk shkon gjithçka në mënyrë të përkryer… E dimë këtë nga mëhalla jonë. Qoftë në fshat, qoftë në qytet, qoftë midis shteteve, është e njëjta gjë. Mund ta kuptosh këtë nëse ndjek një ndeshje futbolli midis fqinjëve: është si luftë”, -tha Rama, duke e relativizuar situatën e tensionuar mes dy vendeve, ku ata që e vuajnë më shumë janë mijëra emigrantë shqiptarë që punojnë e jetojnë në Greqi. Kryeministri theksoi se “Jemi të gatshëm që ta përmirësojmë këtë marrëdhënie dhe po e bëjmë këtë”. I pyetur se kur do ta takojë kryeministrin grek Aleksis Tsipras, ai u përgjigj: “Pritet të takohemi së shpejti. Nuk e di se ku, në Tiranë apo në Athinë, por pritet të takohemi së shpejti. Jemi në një proces të një dialogu shumë intensiv dhe të diskutimeve për shumë çështje, që mbulojnë shumë vite, si dhe të çështjeve të tjera që kurrë nuk janë shtruar me vullnet të plotë, kurajë dhe vendosmëri për t’i zgjidhur. Besoj se jemi shumë pranë që t’i zgjidhim këto, e kjo do të ishte diçka me vlerë”. Por ai ndan bindjen se mes dy vendeve nuk ka armiqësi dhe se të tjerat thjesht janë politikë. “Nga ndonjëherë ndodhin gjëra të papëlqyeshme, por tani marrëdhëniet janë të mira dhe më e rëndësishmja është se nuk ekziston armiqësi ndërmjet të dy popujve. Grekët e duan Shqipërinë, shqiptarët e duan Greqinë. Të tjerat janë thjesht politikë”, -tha më tej Rama. Ndonëse nga autoritete zyrtare shqiptare flitet për miqësi e fqinjësi të mirë, ngjarjet e rëndë të ndodhura në Greqi po i përjetojnë emigrantët, që sa herë ka tensione mes palëve për çështje të ndryshme janë ata të parët që e pësojnë. Kësaj radhe edhe me humbjen e jetës.