Në një intervistë për Ekonomia Online, politikani nga Lugina, megjithatë, thotë se ideja e presidentit të Kosovës është inkurajuese.
“Deklaratat e presidentit Thaçi janë shumë të vonuara në këtë çështje. Gjer tani së paku nuk është përmendur Lugina e Preshevës, megjithatë deklaratat e dy javëve të fundit janë shumë inkurajuese, sepse seriozisht Presidenti është duke u marrë njëkohësisht me dialogun Prishtinë – Beograd dhe jetësimin e referendumit të 1 e 2 marsit të vitit 1992 të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, duke asociuar në bashkëngjitjen e këtyre tre komunave me shumicë shqiptare autoktone me trungun e saj, Republikën e Kosovës”, thotë Mustafa.
Mustafa, më tutje, vlerëson se Presidenti Thaçi nuk po flet për shkëmbim territoresh, por për korrigjim kufijsh, të cilët, sipas tij, janë vendosur padrejtësisht ndaj shqiptarëve atje.
“Le të presim epilogun e bisedimeve në Bruksel kur propozimi të vihet në tavolinën e bisedimeve para palës serbe, atëherë sigurisht se do të e kemi të qartë gjithë situatën e krijuar, reagimin e palës serbe madje të presim në atë rast edhe reagimin e lehtësuesit të bisedimeve Bashkimin Evropian si dhe garantuesin e marrëveshjes së pritshme nga dy palët pikërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thekson Mustafa.
Kreu i PDSH-së nuk tregon qartë nëse do ta mbështeste shkëmbimin e territoreve, një ide shumë e diskutuar javëve të fundit, si opsion për një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, por që është kundërshtuar nga Gjermania dhe Britania e Madhe, me frikën se do ta destabilizonte rajonin.
“Në këtë fazë të përgatitjes së bisedimeve mes dy palëve, atë të Shqiptarëve dhe Serbëve, mbështesim fuqishëm korrigjimin e kufijve të vendosur padrejtësisht që nga periudha e mbarimit të luftës së dytë botërore e këtej, sidomos ndaj shqiptarëve autokton të pambrojtur në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc! Prandaj, bashkëngjitja e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës është një element shumë i rëndësishëm i vazhdimit të bisedimeve Prishtinë – Beograd dhe që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve e serbëve”, thotë Mustafa.
Mustafa pret që Kosova ta trajtojë me maturi çështjen e Luginës së Preshevës. Kërkon kujdes që të mos lëshohen gabime, meqë, sipas tij, ky proces nuk përsëritet shpesh.
“Tani jemi në kohë paqe, marrëveshja do të arrihet me pajtueshmëri dhe maturi nga të dy palët bashkëbiseduese dhe përfundimisht shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit duan t’i bashkohen Kosovës, atje ku e ndiejnë veten autoktonë, të lirë, të qetë dhe të rehatshëm duke kontribuar maksimalisht në integrimet Euro – Atlantike të Kosovës së RE, Republikë e vërtetë e Kosovës”, deklaron Mustafa.
Ai mendon që është koha e duhur që çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të ngritet në Bruksel.
“Tani është momenti më i volitshëm se kurrë më parë, sepse kërkesat e palës serbe janë edhe gjatë gjithë kohës të fokusuara në statusin politik të serbëve në veriun e Republikës së Kosovës. Duke qenë se ne shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdimisht kemi kërkuar reciprocitet në të drejta me serbët në veriun e Republikës së Kosovës, atëherë kërkesa për bashkëngjitje të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit konform referendumit të 1 e 2 marsit të vitit 1992 është më se e qëlluar në dimensionin kohë”.
“Kjo kërkesë e shqiptarëve të Luginës kujtoj se do të ndihmojë ekipin e bisedimeve të palës Kosovare në dialogun e radhës. Nga ana tjetër, nuk ka dyshim se kjo kërkesë e shqiptarëve në lindje të Kosovës balanson kërkesat e serbëve në veri të Republikës së Kosovës dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet e tepruar”, sepse është e pakuptimtë që të zbatohen standarde të dyfishta në lidhje me të drejtat e pakicave në dy anët e kufirit midis dy shteteve fqinje”, thotë ai.
Mustafa shpreson që bashkësisë ndërkombëtare, partitë politike dhe shoqërisë civile në Kosovë do ta mbështesin idenë për korrigjimin e kufijve me Serbinë.