Rama 2 si bashkia 4

Dritan Hila

Asgjë që nuk pritej nuk ka ndodhur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Kemi një qeveri si një Bashki Tirane e dikurshme në zoom.

Por disa nga emrat; metodikat që do ndjekë dhe rezultati që do të japë, janë të gjitha një enigmë.
Duke filluar nga më e parëndësishmja, zëvendësja e tij, është një emër i panjohur në politikë apo në atë profesional. Cili ka qenë aseti i saj, mbetet enigmë.

Për herë të parë Gramoz Ruçi merr një post shtetëror. Ngjan se është dekorata që PS po i jep për 27 vjet në shërbim të unitetit të saj. Pas këtij mandati, mund të mos ketë më vend për të në PS. Qoftë për shkak të moshës por edhe të transfuzionit tashmë total që i është bërë pasardhëses së komunistëve shqiptarë.

Ditmir Bushati merr edhe integrimin. Në rastin shqiptar ku politika e jashtme është atribut i aftësive, humorit, tekave apo interesave të kryeministrit, kjo shtesë pak ndryshon. Ngjan se është lehtësuar nga një drejtori e cila herë bëhej institut, herë drejtori e përgjithshme dhe herë vetëm drejtori: ajo e Diasporës dhe Emigracionit. Për të folur pa dorashka mesa duket është bërë ministri për të kënaqur Pandeli Majkon me lugë zbrazët.

Ahmetaj merr një superministri ku janë bashkuar ekonomia dhe financa; Gjiknuri atë ku është bashkuar energjia dhe transportet; Klosi atë të turizmit dhe mjedisit; Manastirliu të shëndetësisë dhe mesa kuptohet kujdesit social.

Asnjëri prej tyre nuk është ekspert i të gjitha fushave. Pavarësisht se ministrat janë emisarë politikë, gjithmonë shikohet një përputhshmëri e profesionit me postin. Kjo nuk ka vlejtur asnjëherë në qeverinë Rama. Aq më pak do të vlejë tani pasi nuk ka universitete që kanë degë ku pregatiten financierë dhe planovikë, elektricienë dhe mekanikë, mjekë dhe shërbyes socialë, planifikues territori dhe kujdestarë mjedisi.A do funksionojë? Duke nisur që nga fuzioni mes tyre që do kohën e vet për të pregatitur strukturat, organikat dhe kompetencat e deri tek vështirësitë në kuptimin e problematikës nga titullari ndërkohë që administrata është e terrorizuar jo vetëm nga ndryshimet por edhe fushata dy mujore e kryeministrit, minimalisht dy vite do shkojnë dëm.

Sa iu përket ministrive të tjera, ato nuk ndikojnë fare në jetën e vendit, përpos të punësuarve të tyre të cilët kanë ankthin e vendit të punës. Përfshirë edhe atë të bujqësisë ku po bëhen dekada që Shqipëria nuk ushqen dot popullsinë e saj pavarësisht drejtuesit.

Cili do të jetë rezultati i pritshëm? Edi Rama premton sukses dhe shkarkim të ministrave që nuk përmbushin objektivat. E para do kohë të provohet; e dyta është relative. Mos harrojmë se katër vitet që shkuan ishin ndër më të dobëtat e 27 viteve: ekonomia u rrit me ritmet e breshkës, borxhi u rrit, përzumë FMN, nuk u shtrua asnjë kilometër rrugë, e megjithatë njerëzit e votuan. A do ta bëjnë edhe pas katër vjetëve? Qershori që sapo shkoi tregoi se Rama është magjistar i propagandës, mjeshtër i intrigës dhe një politikan elektoral pa skrupuj. Njeriu i cili ngjan se erdhi rtastësisht në pushtet dhe po rri prapë nga rastësia, për të cilin qoftë kur është gjendur mes kundërshtarëve politikë dhe ka ngjarë i pashpresë apo në shkallët e shtëpisë i larë në gjak, kurrë nuk mund të thuhet se ky ishte fundi./dritare.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme