Në Shqipëri kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha janë ulur sot në takimin e parë mes tyre për t’u përpjekur për zgjidhjen e krizës e cila e sheh të djathtën në një protestë të gjatë që vazhdon prej më shumë se dy muajsh për të kërkuar një qeveri teknike e cila sipas saj do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme më 18 qershor. Janë të paktën 23 parti opoztare të cilat kanë refuzuar rregjistrimin në zgjedhje.
Takimi i sotëm erdhi pas thirrjes drejtuar dje pasdite palëve nga presidenti Bujar Nishani që “të ulen në tryezën e bisedimeve me vullnetin për kompromis, për të tejkaluar këtë situatë të vështirë për vendin”. Zoti Rama dhe Basha, hyn në zyrat e presidentit Nishani në orën 10.00 të shoqëruar nga kryetarët e grupeve të tyre parlamentare.
Bisedimet pasojnë disa përpjekje të dështuara për kompromis edhe të komunitetit ndërkombëtar. Javën e shkuar paketa e propozimeve e ofruar nga dy eurodeputetët David McAllister dhe Knut Fleckenstein nuk çoi në arritjen e një marrëveshjeje. Opozita këmbëngul në krijimin e qeverisë teknike dhe votim elektronik.
Të njejtin qëndrim zoti Basha e konfirmoi dhe mbrëmë, pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat ku përmes videokonferencave patën një bashkëbisedim me Komisionerin për Zgjerim Johannes Hahn dhe Presidentin e Partive Popullore Europiane Joseph Daul, të cilët gjithashtu, mbështetën platformën e kompromisit të ofruar nga McAllister dhe Fleckenstein, ndërsa e quajtën të papranueshëm bojkotin e zgjedhjeve.