“Rama është i trembur si kurrë më parë nga arrestimi i shefes së SHISH”, Agron Shehaj: Balluku e mban peng dhe e detyron të shkojë në Parlament në 1 të natës

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me Ola Brukon, ka bërë një analizë të fortë të zhvillimeve më të fundit politike dhe të drejtësisë, me fokus te vendosja në arrest shtëpie e ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, si dhe përplasjet e brendshme brenda mazhorancës.

Shehaj nënvizoi se goditja ndaj drejtueses së shërbimit sekret ka shkaktuar panik te kryeministri Edi Rama, për shkak të ndjeshmërisë së lartë që ky institucion ka në raportet me aleatët e huaj.

“Edi Rama nga ky lajm është i trembur si kurrë më parë, sepse është një tjetër mesazh që nuk ka të paprekshëm. Kur njerëz me pushtet politik përfundojnë para drejtësisë, por edhe në burg, njerëz me shumë para, e kanë kuptuar se nuk janë të paprekshëm. Kur i ndodh një zyrtari si kreu i SHISH, që vepron në kuadër bashkëpunimi me institucione të ngjashme të NATO-s, BE, SHBA, kuptohet që për Edi Ramën një lajm i tillë ka qenë shumë i rëndë,” deklaroi Shehaj.

Më tej, kreu i Partisë Mundësia u ndal te qëndrimet e ndryshme të kryeministrit kur vartësit e tij përballen me drejtësinë, duke denoncuar prapaskenat e heqjes së imunitetit për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Sipas Shehajt, ndryshe nga rastet e tjera ku Rama u distancua, me Ballukun ai u detyrua të bllokojë kërkesën e SPAK-ut për shkak të ndikimit absolut që ajo gëzon brenda PS-së.

“Reagimet e Edi Ramës janë në funksion të personit. Kur arrestojnë një ministër thotë se ministri mban përgjegjësi. Kur duan të arrestojnë zëvendëskryeministren thotë jo, sepse kjo e kërcënon se ka shumë pushtet. Ajo e detyron Ramën të shkojë në Parlament në 1 të natës që të votojë. Balluku nuk shkon në Parlament sepse nuk pranon të ulet në karrigen e deputetit. Është shumë e rëndësishme ajo dhe e detyron Ramën të shkojë në Parlament.”

“SPAK ka kërkuar arrestimin për Ballukun. Nuk mbajti standard të dyfishtë nga rasti i Veliajt sepse Veliaj nuk kishte imunitet deputeti. Ballukun Rama e mbrojti sepse pati imunitet. Uroj të vijë kërkesa e dytë për arrestimin e Ballukut, ndonëse ka gjasa që Rama të mos e lëshojë sërish. Kur erdhi kërkesa për arrestimin e Arben Ahmetajt e votuan shumë shpejt. Për Ballukun e shtynë nja 3 muaj, më pas nuk e votuan heqjen e imunitetit të saj. Të gjithë në Shqipëri kanë të drejtë të mendojnë se drejtësia po vonon sepse është vonë, pasi duhet të kishim parë para drejtësisë zyrtarët e korruptuar prej shumë kohësh. Fati politik i Ballukut është i vendosur, nuk ka më të ardhme.”

Në mbyllje të fjalës së tij, Shehaj e cilësoi mazhorancën si të përçarë në grupe interesash, ku arrestimet e zyrtarëve të AKSH-it dhe SHISH-it kanë krijuar hutim të plotë.

Ai vlerësoi vendimin e deputetes Marjana Koçeku, e cila braktisi grupin parlamentar socialist.

“PS është e ndarë: ose janë me Belindën, ose me Ergys Agasin, ose me Veliajn. Kur u caktua arrest për Mirlinda Karçanajn nuk foli askush. Tani me arrestimin e shefes së SHISH janë të hutuar, nuk kanë çfarë të thonë. Nuk ka opozitarë në PS. Një opozitare doli, ajo u shkëput nga grupi i PS-së, Marjana Koçeku. Ajo ka vepruar dhe refuzoi të vazhdonte me këta që janë bandë kriminale,” përfundoi Agron Shehaj.

The post “Rama është i trembur si kurrë më parë nga arrestimi i shefes së SHISH”, Agron Shehaj: Balluku e mban peng dhe e detyron të shkojë në Parlament në 1 të natës appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme