Gazetari nga Kosova, Xhevdet Pozhari tha në Çim Peka Live, në Syri Tv, se qëndrimet e Edi Ramës janë të afërta me ato të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe jo me Albin Kurtin, kryeministrin e Kosovës, lidhur me situatën në veri.
Pozhari tha se nuk e kishte menduar që pas 24 viteve Shqipëria do të kishte një kryeministër si Edi Rama.
Xhevdet Pozhari: Nuk e kam menduar që pas 24 viteve në krye të Shqipërisë do të vihej një kryeministër i cili në reagimet e tij do të jetë i vonshëm, do të jetë edhe më i zbehtë se shtetet aleate që ne kemi. Ju e dini që ai reagoi vetëm pasi reagim të ashpër nga SHBA, Britania e Madhe dhe më pas Gjermania e drejtoi gishtin për trazira drejt Serbisë. Dikur konsiderohej tradhti kjo që i bëhet shqiptarëve të Kosovës, sot normalizohet. Nuk kam dyshim që Rama këtë gjuhë e pëërdor se nuk ndëshkohet nga elektorati. Nuk besoj se dikush në Kosovë, në një kontekst të hapur mes Shqipërisë dhe Greqisë, dhe do t’i thoshte Greqisë që ke arsyet e tua, do të përfundonte karriera e tij politike në Kosovë. Rama e di që për deklarime të tilla nuk ndëshkohet me votë në Shqipëri dhe prandaj nuk deklarohet i kujdesshëm. Në muret mendore të zotit Rama, interesi i Shqipërisë përkufizohet veç për kufijtë që ka Shqipëria. Ndërsa për shqiptarët e Kosovës fillon që nga taksa në rrugën e Kombit dhe atë që ne duhet të paguajmë për qëndrimet e zotit Rama që kanë qenë më të afërta me Vuçiç se sa me Kurtin. Dhe kjo është arma më e fortë, jo armata e Serbisë, përçarja që ka bërë mes liderve shqiptarë. Se pse ka ndodhur kjo me zotin Rama, këtë mund ta dijë vetëm ai.
© SYRI.net