Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cilësoi “përralla” deklaratat e sotme nga çadra e protestës të kryetarit të Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha.
“Një zë i ngjirur bërtet për t’u treguar përralla qorrave që s’duan të shohin shurdhëve që s’duan të dëgjojnë#VajmedetPDvajmedet kuku për ty”, citohet postimi i shkurtër i kryeministrit në rrjetet sociale.
Një ditë pas dështimit në Tiranë të misionit të dy eurodeputetëve, David McAllister dhe Knut Fleckenstain, për arritjen e një kompromisi për krizën politike në Shqipëri, paraditen e sotme kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta u takuan në kryesinë e Kuvendit, ku në fokus mendohet të jetë situata politike në vend.
Takimi mes tyre u pasua nga një tjetër takim, ai mes ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin dhe ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, në zyrat e Delegacionit të BE-së në Tiranë.
Me pas, edhe ambasadori amerikan Donald Lu u takoi ne mesditë me kryeministrin Edi Rama. Ndërsa më pas, bashkë me ambasadoren Vlahutin dhe ambasadorin e OSBE-së, Bernd Borschardt iu drejtuan kryesisë së Kuvendit për t’u takuar me kryetarin Ilir Meta.