Rama i përgjigjet Gruevskit përmes Bushatit

Pas lajmit se ish-kryeministri i Maqedonisë dhe lider i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski nuk pranon dhe kundërshton ashpër idenë e një qeverie koalicioni mes LSDM-së dhe partive shqiptare, dhe se ai i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit armikut të vet të madh Zoran Zaev vetëm e vetëm të pengojë realizimin e kërkesave të shqiptarëve, vjen reagimi i Tiranës zyrtare.

Përmes një ligjërate në Univerisitetin “Luigj Gurauqi” në Shkodër, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati i është përgjigjur ish- kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski.

“Shqiptarët nuk janë punëtorë sezonalë në trojet e tyre. Ne jemi të vëmendshëm tu përgjigjemi në kohë kërkesave të tyre. Nuk do të reshtim së theksuari nevojën e zhvillimit të shqiptarëve kudo ata ku jetojnë në respekt të asaj që u takon për më shumë dinjitetit, barazi dhe përfshirje në planin e zhvillimit, e rrjedhimisht më shumë mirëqenie”, tha Bushati.

Përndryshe përmes një postimi në facebook lideri i VMRO- DPMNE bënte thirrje dje për mobilizim kundër ligjit për gjuhën shqipe.

“Nëse partitë shqiptare e sjellin në pushtet LSDM-në ne jemi të gatshëm ta mbështesim si qeveri e pakicës me deputetët tonë nëse LSDM-ja heq dorë nga gjuha shqipe dhe platforma e Tiranës” shkruante Gruevski.

Ndërkohë ministri Bushati thotë se rreziqet që i kanosen rajonit tonë mund të çojnë në tjetërsimin e integritetit tonë kombëtar prandaj Tirana nuk do të reshti së theksuari nevojën e zhvillimit të shqiptarëve kudo që ata jetojnë.

“Shenjat e alarmit janë dhënë dhe ne jemi të ndërgjegjshëm se këtu bëhet fjalë për të ruajtur e kultivuar atë që kemi tonën të natyrshme e të shenjtë përkundrejt përcudnimeve të importuara e të lehtësuara dhe të shpejtuara nga mungesa e barazisë, dinjitetit dhe zhvillimit. Nuk do të rreshtim së theksuari nevojën e zhvillimit të shqiptarëve kudo ata jetojnë për më shumë dinjitet barazi, përfshirjen e planeve të zhvillimit” thotë Bushati në mesazhin e tij.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme