Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do ta vizitojë të premten që vjen Shqipërinë. Ai do të marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet më 20 dhe 21 dhjetor.
Lajmin e bëri të ditur Presidenca e Serbisë, e cila nëpërmjet një njoftimi bën të ditur se kreu i shtetit serb do të zhvillojë një vizitë dyditore në Shqipëri, shkruan sot Koha Ditore. Gjithashtu, në njoftim thuhet se Vuçiq do të takohet në Tiranë, të premten, me liderë të tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që pritet të zhvillohet takimi i radhës për mini-Shengenin ballkanik së bashku dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Takimi është konfirmuar edhe nga Zyra e shtypit e kryeministrit Rama, të hënën në mbrëmje.
Takimi i tretë në Tiranë bëhet në kuadër të përpjekjeve për formimin e një mini-Shengeni ballkanik. Këto përpjekje nisën rreth dy muaj më parë në Novi-Sad të Serbisë, ku tre liderët – Vuçiq, Zaev dhe Rama – u pajtuan për një gjë të tillë. Ata fuqizuan idenë e tyre me një takim në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe pritet finalizimi i saj në Tiranë më 21 dhjetor.
Konfirmimi i këtij takimi vjen një ditë pasi katër partitë kryesore në Kosovë i kërkuan kryeministrit shqiptar, Rama, të anulojë samitin e radhës të parashikuar për të shtunën në Shqipëri, të quajtur ndryshe si mini-Shengeni ballkanik. Katër partitë parlamentare, LVV, LDK, PDK dhe AAK, kanë deklaruar se nuk mund të flitet për bashkëpunim rajonal me Serbinë për sa kohë ajo mohon krimet e kryera gjatë luftës, tash së fundmi edhe masakrën e Raçakut të fillimvitit 1999 të shekullit që sapo lamë pas. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)