Rama, loja e rrezikshme me Greqinë!

Autor: Dritan Hila

Me një postim në rrjetet sociale, kryeministri shqiptar ka përkujtuar vrasjen e pashait osman të Janinës, Aliut, dhe ka bërë një rrëshqitje në fushën e historisë ku ka përmendur se lufta e fundit e Ali Pashes, që paska nxitur revolucionet jo vetëm atë grek, por edhe ato ballkanike.

Nëse e para është e dyshimtë e dyta është qesharake. Por le të mbetemi tek Aliu.

Lëvizja e Ali Pashës së Janinës nuk kishte lidhje me ndonjë ndjenjë nacionaliste të shqiptarëve. Sikur Pashai të kishte ambicje kombëtare nuk do të ishte masakruesi më i madh i krahinave shqiptare, por aleati i tyre. Himara, Suli, Hormova, Kardhiqi janë dëshmi të tërbimit të tij. Për më tepër, feudali i Janinës nuk kishte fare nocionin e kombit dhe as i shkonte ndër mend të krijonte një të tillë per shqiptarët. Ishte thjesht një lëvizje rebeluese, nga të shpeshtat ato kohë në periferitë e perandorisë e  cila po përjetonte dekompozimin. Për t’i paraprirë shpërbërjes, sulltanati po ndërmerrte reforma centralizuese dhe modernizuese të cilat shkonin kundër status quo me të cilën ishin mësuar pashallarët me origjinë shqiptare. Por asnjëri prej tyre, as Aliu e as Bushatllinjtë nuk kishin ndonjë ide për formësimin e shtetit shqiptar. Dhe në këtë duhet të jemi të prerë pasi kombet vërtet formohen mbi mite, por jo edhe mbi sajesa.

Por që mos t’i hyjmë historisë e cila përveç copave të letrave të gjetura nëpër arkiva apo internet, kërkon studimin e konteksteve historike, të cilat pak njerëz janë në gjendje t’i bëjnë, nëse ka një kontribut postimi i kryeministrit shqiptar, ky nuk është ai në funksion të historisë, por të ndezjes sërish të gjakrave me Greqinë. Sherr i cili fatkeqësisht do të përkthehet ne kosto për shumë arsye. Kjo fillon nga fakti që njeriu të cilin ne e paguajmë për të drejtuar këtë vend, herë bën piktorin, herë kuratorin dhe herë historianin. Ndërsa në planin e brendshëm vendi përjeton krizë ekonomike dhe sociale. Nuk ka ditë të vitit që mos lajmërohet për njerëz që janë në prag të dëshpërimit dhe vetëvrasjes.

Ndërkohë gadishullit dhe vendit po i qasen flakët e konflikteve. Pas Brexit dhe fitores së Donald Trump në SHBA i cili nuk dihet çfarë qëndrimesh do të mbajë në politikën e jashtme dhe me Rusinë, faktori ndërkombëtar në favor të Kosovës është i çorientuar. Ndërsa ai kosovar është i përçarë. Serbia po e shfrytëzon këtë konteks me të gjitha mënyrat.  Ndërhyrja e Shqipërisë në unifikimin e faktorit kosovar, qasja e një politike të përgjegjshme dhe largpamëse nga shteti i cili ka 105 vjet histori ndaj bashkatdhetarëve jashtë kufijve, do të ishte minimalja e pritshme. Por kjo nuk ndodh. Ca më keq, hapet një front i dytë i cili jo vetëm nuk ndihmon çështjen shqiptare por ka qëllimin e vetëm banal të politikës së ditës, të heqjes së vëmendjes së publikut nga problematika e brendshme. Për më tepër kundër një shteti i cili nuk është një rrezik eminent për tërësinë territoriale tonën dhe për më shumë është anëtar i BE dhe NATO-s. Ndërkohë që në veri Serbia të rrezikon seriozisht marrjen e një pjese të territorit.

Edi Rama në sjelljen e tij ndaj Greqisë,  jo vetëm që ka treguar paditurinë historike, por edhe mungesën e kohezionit. Ardhja e Ciprasit në pushtet i kishte të gjitha shanset të zbuste klimën e përhershme të konfliktit mes dy vendeve. Rast që jo vetëm nuk e shfrytëzoi, por e perkeqesoi me provokime infantile siç qe rasti i Akropolit. Por rruga që ka zgjedhur duke ndezur armiqësi të tulatura dhe futur bishtin ndër shalë ndaj rrezikut real si ai serb, është më shumë se faj, është gabim.

Nuk është vetëm një pakujdesi në vlerësimin strategjik të situatës, por një infantilitet politik që do të dëmtojë edhe vetë atë. Ky vend nuk ka kapacitetet që të mbijetojë mes konflikteve. “Vivere pericolosamente” (të jetosh rrezikshmërisht), ishte një citat që i pëlqente Musolinit dhe mesa duket edhe Ramës. Por askush nuk ia ka parë hajrin një politike të tillë aventuriere./dritare.net 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme