E martë 01 Nëntor 2016 – Sakte.net
Kryeministri shqiptar, Edi Rama duke publikuar një hartë të Athinës së shekullit të 16-të në profilin e tij në ‘Facebook’, thotë se nëse nuk do të ishin edhe shqiptarët, Akropoli nuk do të ekzistonte.
Ai thotë se Akropoli është ende në këmbë falë kurajës së shqiptarit, Gjergj Dushmanit.
Postimi i Ramës:
Kjo gravurë e vjetër e Athinës e 1670 (qytet në të cilin, shkruante ende më 1925 princi grek fanariot Eugene Rizo-Rangabe, “…popullsia autoktone është edhe sot e kësaj dite kryesisht shqiptare”), na kujton, ndër të tjera se, nëse Akropoli i lashtë është ende në këmbë për lavdi të njerëzimit dhe qytetërimit, kjo i detyrohet edhe kurajos dhe vizionit të primatit shqiptar të Athinës, Gjergj Dushmanit! I cili, më 1686, negocioi me flotën veneciane të Francesco Morosinit që qyteti të mos bombardohej prej limanit të Falerës, edhe pse aty ndodhej një garnizon turk.
Një histori e tillë e një qyteti që dikur ishte sipas historianëve e dëshmive autentike, qytet kryesisht shqipfolës, nuk e bën absolutisht atë një qytet shqiptar, edhe pse shqiptarëve Athina diçka u ka borxh në historinë e saj të jashtëzakonshme.
Dhe, tamam po kështu, nëse Himara, përjetoi me arqipelagët grekë dhe greqishten si “lingua franca” të Orientit, nëpërmjet shkëmbimeve detare, një bashkëjetesë të afërt e të frytshme, kjo nuk e bën atë absolutisht një krahinë greke; aq më shumë që popullsia e saj, në të gjithë aktet ndërkombëtare, për të mos folur veç për Historinë, njihet thjesht e vetëm si SHQIPTARE.