Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se Shqipëria ndjek me vëmendje negociatat mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit të Maqedonisë. Këto negociata, sipas tij, do ti hapnin rrugën Maqedonisë, për të rifilluar procesin e integrimit euro-atlantik.
Këtë deklaratë kryeministri i Shqipërisë, Rama e bëri gjatë mbledhjes së grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, pas kthimit nga pjesëmarrja në Forumin Ekonomik të Davosit.
“Ne ndjekim me shumë simpati edhe ecurinë pozitive të procesit të dialogut mes fqinjëve tanë jugor dhe Maqedonisë. Urojmë dhe shpresojmë që të ketë një finalizim të negociatave që do ti hapnin rrugë Maqedonisë, me një emër të dakorduar për të rifilluar procesin e ndërprerë të integrimit evropian dhe të integrimit të plotë në NATO”, deklaroi Rama.
Duke folur për ligjin për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni, Rama shprehu keqardhjen për qëndrimin e presidentit të Maqedonisë (Gjorge Ivanov) dhe tha se ky qëndrim nuk do të jetë bllokues.
“Në këtë pikë dua të shtoj se e ndjekim me shumë vëmendje edhe ecurinë e procesit për zyrtarizimin përfundimtar të gjuhës shqipe në raport me ligjin që kaloi Parlamenti i Maqedonisë, duke shprehur keqardhje për qëndrimin e presidentit (Ivanov), por një qëndrim që nuk ishte as surprizë dhe besoj nuk do të jetë as bllokues për një proces historik si ai që po ndodh në Maqedoni, në lidershipin vizionar dhe europeist të kryeministrit maqedonas (Zoran Zaev)”, tha Rama.
Kryeministri i Shqipërisë foli dhe për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, duke theksuar se “Dua të vë në dukje se jemi në një moment pozitiv në dialogun me Greqinë. Ashtu si kundër e shprehu edhe kryeministri grek, pajtohem me përshtypjen se momenti i nënshkrimit të ri të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë është shumë afër”.
Ndërkaq, kryeministri Rama bëri më dije se në të gjitha takimet dhe kontaktet e kryera gjatë tre ditëve në Davos, “ishte e qartë që Shqipëria është një hap afër çeljes së negociatave për anëtarësim me BE-në”.