Rama s’ka hallin e jetëve që shpëtojnë vaksinat, po të votave që do t’i sjellin ‘Rilindjes’ së tij

Nga Kim Mehmeti

Maqedonia e ndërpreu regjistrimin e popullsisë. Edhe atë ashtu siç ndodh në një shtet ku institucion më i lartë është partia, ku ‘ligj’ më i vlefshëm është marrëveshja e arritur mes kryetarëve partiak, e të cilët sillen si bajraktarë fisesh. Pra regjistrimi u ndërpre pasi u ulën kryetarët e partive maqedonase, ai i VMRO-DPMNE’së dhe ai i LSDM’së dhe, mbase i kanë thënë njëri tjetrit – më mirë ta ndërprejmë, sepse do merret vesh sa pak jemi ne, e sa shumë janë të tjerët.

Dhe pastaj, për vendimin e marrë, i informuan partitë shqiptare. Me çka ia mundësuan BDI’së që, siç i takon vasalit besnik, vendimin e liderëve sllavo maqedonas, ta pëlqejë e ta shpallë si shumë të dobishëm për shqiptarët e Maqedonisë.

Pra Maqedonia e ndërpreu regjistrimin e të gjallëve që dallojnë për nga përkatësia etnike, por për fat të keq, nuk mund ta ndalë numërimin e të vdekurve nga pandemia.

Dhe njësoj siç nuk dihet numri i saktë i banorëve të këtushëm sa i përket përkatësisë së tyre etnike, nuk dihet as numri i të vaksinuarve kundër virusit Covud19, sepse dihet sa vaksina kanë hyrë në vend, por nuk dihet sa qytetarë të Maqedonisë kanë dalë jashtë vendit dhe janë vaksinuar nëpër qytete e Sërbisë.

Sa i përket numrit të vaksinave dhe vaksinimit, Shqipëria është e paarritshme për Maqedoninë. Shqipërinë është e paarritshme për Maqedoninë edhe sa u përket paradave të pritjes së vaksinave dhe të vaksinimit të pleqve nëpër sheshe qytetesh e fshatrash, e të cilat parada bëhen nën mbikëqyrjen e ‘bamirësit dhe shpëtimtarit’ të vetëm të popullit – Kryeministrit të vendit.

Sa i përket Kryeministrit të Shqipërisë, mbase nuk dihet saktë se vallë atë më shumë e trishton numri në rritje i përkrahësve të opozitës, apo ai i të infekturave nga virusi Covid19, por nuk ka dyshim se ai nuk ka gjithaq hallin e numrit të jetëve që do shpëtojnë vaksinat, por atë të votuesve që ato do i sjellin ‘Rilindjes’ së tij, tani të maskuar me trëndafilin e PS-së.

Dhe frika nga përballja e 25 prillit atë e bënë të mos i ngjajë një Kryeministri që plotë tetë vite është paguar për t’i shërbyer popullit, por vullnetarit të ndonjë organizate humanitare që flijohet dhe punon falas për Zot e për Milet!

Si i tillë, sa nuk thotë se po të mos ishte ai, nuk do mbetej gjallë asnjë shqiptar. Me çka çdokush që ka sy për të parë e kokë për të menduar, e kupton se Shqipëri është marrë peng nga ata që janë rrogëtarë të popullit, por që ndjehen si pronarë të shtetit.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme