Kryeministri Edi Rama nuk ka komentuar protestën e opozitës nesër në orën 10:00 para Parlamentit, gjatë një takimi sot me policët. Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së fillimit të kursit profesional për policimin e studentëve të ekselencës, Rama ka folur për reformimin e Policisë së Shtetit vitet e fundit e cila siç tha ai ishte e braktisur. Përmendi gjithashtu edhe sukseset e policisë kriminale në sekuestrimin e aseteve të krimit të organizuar e objektiva për t’u arritur në të ardhmen.
Edhe pse ka folur për më shumë se 20 minuta, kryeministri shmangu tërësisht tubimin e paralajmëruar nga opozita para Parlamentit. Megjithatë, për protestën Rama foli më herët gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist kur kërkoi nga deputetët të shmangnin skenat e javës së kaluar, si dhe ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, garantimin e sigurisë për ligjvënësit para, gjatë dhe pas protestës.