Kryeministri Edi Rama thotë se Lulzim Basha po e quan marrëveshjen e 18 majit të vdekur për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve të 25 qershorit.
Duke folur në Top Story-n e kësaj të enjteje, kreu i qeveri u shpreh gjithashtu se opozita nuk po kursen vendin.
“Ne nuk kemi pasur asnjëherë një marrëveshje se kush do të humbasë apo kush do të marrë çfarë nga zgjedhjet, sepse atë do ta përcaktonte populli shqiptar. Mënyra më e dëshpëruar për të justifikuar një humbje që kishte të gjitha arsyet që të vinte, është kjo mënyrë për të mos pranuar humbjen dhe për t’ju përveshur edhe njëherë tjetër me baltë kundërshtarit pa kursyer Shqipërinë. Nuk është problemi tek çfarë thotë opozita për mua, apo qeverinë, por është se nuk po kursen Shqipërinë në këtë proces”, tha Rama.
Lidhur me akuzat për lidhjen me krimin, Rama tha se akuzat kanë qenë politike dhe se PS ka qenë e para parti që ka kërkuar dëshmi penaliteti si një filtër para se të hynte në fuqi dekriminalizimi.
“Akuzat e ngritura kanë qenë politike, sepse filtri ligjor që ekziston sot nuk ekziston sot. Filtri ligjor në atë kohë ishte dëshmia e penalitetit, që ps ishte e para që e ka kërkuar në atë kohë, filtri që u vu është një filtër i ri, jo për problemet e sotme, por për problemet e djeshme me drejtësinë, është një filtër që s’e ka asnjë vend në europë siç e kemi ne dhe ne nuk e kemi kundërshtuar dhe madje unë e PS kemi kërkuar që në këtë filtër të hyjnë edhe ata që i shërbejnë administratës së shtetit, jo vetëm të zgjedhurit”, deklaroi ai.
Sa i takon kanabisit, kreu i Qeverisë thotë se nuk është mohuar asnjëherë problemi.
“S’e kemi mohuar kurrë dhe nuk është se ka dalë e vërtetë ajo që tha opozita, sepse opozita nuk ka zbuluar ndonjë gjë që ne e kishim fshehur, thjesht ka komentuar gjërat që ne kemi zbuluar”, vijoi ai.Top Channel