Rama: Zgjidhja përfundimtare, njohja e Kosovës nga Serbia – Shqipëria s’dëshiron bashkim me Kosovën

Zgjidhja e problemit të Kosovës është e thjeshtë – njohje të plotë të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, por kur të futem në këpucët e Aleksandar Vuçiqit, jam i vetëdijshëm se kjo gjë është më lehtë të thuhet se të bëhet, ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“E respektoj shumë iniciativën e Aleksandar Vuçiqit që të thërret për dialog të brendshëm për Kosovën dhe në këtë formë të ballafaqohet direkt dhe në mënyrë jo-tradicionale me të kaluarën”, ka thënë kryeministri shqiptar për të përditshmen serbe “Blic”.

Ai thotë se në tekstin autorial të Vuçiqit, në të cilin bëri thirrje për dialog të brendshëm për Kosovës, ka “mundur të ndjej dhimbjen e vërtetë dhe në të njëjtën kohë angazhim mbresëlënës” dhe thekson se pas këtij hapi të parë, Vuçiq “ka vazhduar të zhvillojë vizion shumë të guximshëm për të ardhmen e Serbisë dhe të Kosovës”, transmeton Koha.net.

Momentalisht, shton ai, mund të themi se është me rëndësi të punojmë shumë, të gjithë së bashku, për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme, direkte dhe jo-tradicionale.

“Të gjithë duhet të kemi në mendje se gjetja e një zgjidhjeje për këtë çështje është në interes të të gjithëve, jo vetëm në të shqiptarëve. Sa më parë, aq më mirë”, ka shtuar ai.

Ndërsa, ndaj deklaratës së shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, që problemi i Kosovës të zgjidhet me ndarje, kryeministri shqiptar mendon se nuk ndihmon nëse niset nga kjo.

Ai thotë se ky është një propozim i pazakonshëm, sikurse edhe ai përmes së cilit edhe Serbia do të duhej ndarë, dhe që Lugina e Preshevës të bashkohej me Kosovën apo Kosova të bashkohej me Shqipërinë, dhe që Serbia ta njohë një Shqipëri të tillë.

“Është e qartë, megjithatë, se nëse nisemi nga rezultate të tilla teorike, kjo mund të jetë gjithçka, përveç praktike, dhe për më tepër, mund t’i diskreditojë si të pakuptimta të gjitha qëllimet më të mira”, shtoi Rama.

“Ajo që është e domosdoshme në këtë fazë është vërtetë ajo që presidenti juaj e ka nisur si dialog të brendshëm, i cili, meqë ra fjala, nuk do të ishte i parëndësishëm të ndodhte edhe në Kosovë e edhe në Shqipëri”, theksoi ai.

Sipas fjalëve të tij, raportet mes Serbisë dhe Shqipërisë nuk janë më të mira se ç’kanë qenë kohë më parë, por janë më të mira se ç’kanë qenë ndonjëherë.

“Dhe jam shumë krenar për këtë, ndonëse nuk do të ishte e hijshme apo e saktë të merrja të gjitha meritat për vete dhe për mikun tim (Aleksandar Vuçiq). Ne thjesht ishim njerëzit e duhur në kohën dhe vendin e duhur”, shtoi Rama.

Duke ia kujtuar deklaratën e tij se nuk e përjashton bashkimin e Shqipërisë me Kosovën nëse nuk ka integrim evropian, Rama thotë se ajo është një përfundim trivial, dhe jo plan, as kërcënim e madje as dëshirë.

“Natyrisht, nëse e shohim se horizonti i integrimeve evropiane do të mbyllej për rajonin tonë, atëherë nuk është kurrfarë shkence të parashihet se fantazmat e së kaluarës do të ringjallen. A është e qartë”, ka përfunduar Rama.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme