Në një shkrim autorial të Sadri Ramabajës nga Lëvizja Vetëvendosje, ai ndër të tjera shkruan se …” reagimi i liderit të BDI-së, respektivisht Ali Ahmetit dhe sidomos ai i Alenacës për Shqiptarët, respektivisht i Dr Zjadin Selës, më japin shpresë se ata do të dinë vetë të veprojnë në dobi të faktorit shqiptar në rajon, të faktorizimit të shqiptarëve atje dhe progresit politik drejt një vetëvendosjeje të brendshme”.
Në vijim e gjeni të plotë shkrimin me titull: Lëvizja BESA alias Batalioni SKANDERBEG, me autor Sadri Ramabaja.
Në gjithë këtë kapërcyell të tranzicionit shqiptar, që karakterizohej me homogjenizim të spektrit politik në rrafshin gjeostrategjik me orjentim të qartë perendimor, BESA bëri çarjen e parë. Duke qenë si dorë e zgjetur e Erdoganit, ajo nuk ngurron të shprehet për variantin rezervë të orjentimit gjeostrategjik – Lindjen.
Prishtinë, 18 janar – Zgjedhjet në Maqedoni, para së gjithash rezultati i tyre, kanë shpërfaqur të panjohurat e politikës në që të dy kampet elektorale. Shqetësuese për shqiptarët është, megjithatë rezultati brenda “bllokut” shqiptar.
Kampi bullgar, respektivisht ai që identifikon vetëveten si maqedon sllav, si asnjë herë më parë është ndarë më dysh. Ndarja është e thellë, konceptuale.
Njëra pjesë e bllokut bullgar, spektri konservativ, në ballë të të cilit është VMRO/DPMN, në doktrinën e saj ka kohë inkorporuar dy qëllime qenësore ekstreme nacionaliste: i pari, të mbajë Maqedoninë të pa ndryshuar në rrafshin kushtetues-politik, si republikë unitare, me kombin maqedon si bartës të sovranitetit të saj; i dyti, që mbahet si variant rezerv, ndarja me çdo kusht e Maqedonisë dhe bashkimi i pjesës lindore të saj me Bullgarinë. Këtë variant rezerv, siç dihet, e kishte ofruar pala bullgare edhe gjatë luftës (2001), natyrisht duke pretenduar t’jau lë shqiptarëve një rrip të Tetovës, Gostivarin dhe Dibrën. Kaq!
Në pjesën tjetër të bllokut maqedon, në krye të të cilit është LSDM-ja (Partia Socialdemokrate), është përpunuar platforma qytetare, që krijon parakushte për ruajtjen e Maqedonisë si shtet më vete. Në këtë rast, sipas kësaj platforme të prezantuar nga LSDM-ja edhe në këto zgjedhje, qytetarët do të realizonin të drejtat e tyre politike mbi parimin e organizimit politik qytetar (pak a shumë një kopje e modelit zviceran).
Prapavija historike e VMRO-së
VMRO është trashëguese formale e VMEO-së historike, që bashkë me shqiptarët dhe vllehët pat formuar Republikën e Krushevës (1903). Pas çlirimit të Bullgarisë nga zgjedha osmane, sipas Traktatit të Berlinit (1878) Maqedonia e sotme mbetet tutje nën pushtetin e Perandorisë Osmane. Për rrjedhojë ishte e pritshme që pakënaqësia e popullit bullgar e mbetur nën pushtimin osman atshmë të përshkallëzohej. Kjo ndodhi sidomos pasi u themelua Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase (VMRO) në Selanik (1893).
Nga një organizatë që kryente aksionet luftarake, e që ishin karakterizim i filleve të veprimtarisë së saj, ajo u shndërrua në lëvizje kryengritëse në fillim të shek. XX. Kryengritja arriti kulmin e saj, pikërisht më 2 gusht 1903, që njihet në historinë e Maqedonisë si Kryengritja e Ilindenit. Nëdrkaq kjo kryengritje do të kurorëzohet me çlirimin e qytetit dhe shpalljen e Republikës së Krushevës (19 gusht 1903).
Shqiptarët në këtë kryengritje (Kryengritja e Ilindenit), duke qenë pjesëmarrës aktiv, ishin paraqitur si popull shtetëformues. Në Krushevë, fill pas marrshit të fitimtarëve, bashkësitë etnike të kësaj krahine kishin krijuar Kuvendin e qytetit. Kuvendi kishte 60 përfaqësues. Ndarja e vendeve në këtë kuvend ishte krejtësisht proporcionale dhe të barabartë: 20 shqiptarë, 20 vllehë dhe 20 bullgar. Përveç në Kuvend, shqiptarët ishin pjesë edhe e qeverisë së Krushevës. Ngjashëm si në Kuvend, edhe në Qeveri, pjesëmarrja ishte proporcionale. Në qeverinërinë e përkohëshme të Republikës së Krushevës zgjidhen gjashtë persona në paritet: dy shqiptarë, dy vllehë dhe dy bullgar.
Me këtë organizatë revolucionare kishte bërë përpjekje të koordinonte aktivitetet për çlirim nga pushtuesi i prëbashkët – Perandoria Osmane, edhe korifeu i kryengritjes sonë për pavarësi, Hasan Prishtina.
Prapavija historike e LSDM-së
LSDM-ja si strumbullar i së majtës maqedone, është trashëgimtare e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (për Maqedoni). Ishte pikërisht ky begraund politik dhe historik përse LSDM-ja pas pavarsimit të Maqedonisë (1991), për kohë të gjatë konsiderohej si një shtojcë e socialistëve serb të Millosheviqit. Duke qenë si levë e Serbisë, ajo madje kishte imponuar pozitën kushtetuese-juridike të shqiptarëve edhe më regresive nga sa ishte në kushtetutën jugosllave të vitit 1974! Zatën nuk ka si shpjegohet ndryshe qëndrimi aq rigjid i saj ndaj të drejtave të mbi 30% të popullsisë së vendit, sa janë shqiptarët në Maqedoni.
U dasht lufat e vitit 2001, por edhe ndryshimi i gjeneratës drejtuese, që ky formacion të fillojë të shikoj realitetin etnik në Maqedoni me objektiva më reale.
Por, nëse ndërkohë kreu i kësaj force politike është përcaktuar për ruajtjen e Maqedonisë si shtet i qytetarëve të barabartë, elektorati i saj, në shumicë relative, vazhdon të ushqejë skepsë kundruall shqiptarëve po aq sa ai i VMRO-së.
Në të gjitha zgjedhjet pararendëse, gara e VMRO-së dhe LSDM-së, ishte se cila do të ishte më antishqiptare. Parullat irracionale, shprehje e urrejtjes shovene me tone të theksuara antishqiptare, frut i albanofobisë dhe ksenofobisë të ushqyer për gjenerata, ishin emruesi i përbashkët i tyre deri në prag të këtyre zgjedhjeve.
Skenari i Ukrainës si gogol
Kriza në Maqedoni ka dimensione gjeopolitike. Madje fare lehtë do të mund të parashtroheshin paralele mes rastit të Ukrainës me Maqedonin. Rasti i Kumanovës (9 maj 2015), ishte kulmi i një skenari që kishin pregaditur shërbimet e huaja, që ishin të interesuar ta rikthenin Rusinë me gjithë kapacitetet e saj në Ballkan.
Fill pas nënshkrimit të marrëveshjes për projektin e tubacionit të gasit rus, që do ta përshkojë Detin e Zi e do të kalojë nëpër territorin e Turqisë, Bullgarisë, Maqedonisë, Serbisë për ta arritur Austrin, shpenzimet e të cilit do të ndahen (50:50) mes Rusisë dhe Turqisë, përplasjet mes SHBA-ve dhe Rusisë shenojnë rritje marramendëse.
Emil Kirjas, një maqedonas, Sekretar gjeneral i Internacionales Liberale në Londër, fliste për të përditshmen astriake “Der Standard”, më 15 maj 2015, se de fakto, kemi të bëjmë me “përplasje mes SHBA-ve dhe Rusisë”. Ndërkohë është sqaruar se prapa Nikolla Gruevskit, liderit të VMRO-së, është Putini dhe në një masë të mirë edhe Erdogani. Ish shefi i tij i sigurimit, prëndryshe familjar i tij, Sasha Mijalkov, si pasuesi i tij i mundshëm, vazhdon të mbetet nyja lidhëse e ekipit drejtues të VMRO-së me Rusinë.
Ky rreshtim i VMRO-së pro Moskës qe bërë pas gabimit strategjik të Greqisë dhe Perendimit në vitin 2008, kur qe refuzuar aderimi i pritshëm i Maqedonisë në Aleancën ushtarako-politike – NATO. Natyrisht këtë mundësi e kishte shfrytëzuar edhe Rusia për të ushqyer ëndrrën e saj për rikthim të plotë në Ballkan.
Rusia do ta shtojë angazhimin dhe prezencën e saj në Maqedoni veçmas pas 31 janarit 2015. Atëbotë, pas paraqitjes së opozitarit Zoran Zaev me “bombat” e famshme, që në fakt ishin publikim i protokolleve dhe përgjimeve që dëshmonin për shkallën e lartë të korruptimit dhe keqpërdorimit të shtetit, respektivisht kapjen e tij nga banda e Gergievskit, e që i kishte siguruar, sipas ministrit rus, nga shërbimi amerikan, pat reaguar ashpër ministri i jashtëm rus.
Herën e dytë, ministri rus do të paraqitet më 21 prill, fill pasi ishin shpërfaqur në ekran grupi i armatosur në Goshicë, që paralajmronte “rikthimin” e UÇK-së! Moska këtë rast e prezantoi si shqetësim dhe dëshmi për “shpërthimin e pritshëm etnik”.
Më pas paraqitjet e ministrisë së jashtme ruse ishin edhe më të shpeshta. Ai që ka ngelur në kronikat e kohës si më i veçantë, është ai pas marrshit të protestuesve masiv të opozitës, të cilës i ishin bashkuar një varg OJQ-shë, në kuadër të të ashtuquajturit “Revolucion i larmë”. Me këtë rast kumtesa e ministrisë së jashtme ruse të kujtonte të njejtin stilë gjuhe që ajo kishte prëdorë edhe në rastin e Ukrainës, duke paralajmruar kështu skenarë të ngjashëm dhe duke bërë përgjegjës për këtë SHBA-të.
Faktori shqiptar i somnabulosur
Në këto rrethana Maqedonia do të duhej të konsiderohej edhe nga pala shqiptare si pjesa më vitale e interesit kombëtar. Por a u trajtua si e tillë? Fatkeqësisht, jo!
As Tirana zyrtare , as Prishtina zyrtare, por fatkeqësisht as edhe ndonjë parti me platformë të deklaruar kombëtare, nuk kishhte ndonjë program eksplicit pune për Maqedonin shqiptare. Dhe derisa kriza politike, ekonomike e morale… në Maqedoni po thellohej, faktorët e interesuar për rishikim të gjeopolitikës dhe rikthim në rajon po vepronin. Krahas Rusisë, edhe Turqia, kishte kohë që ishte prezente në Maqedoni. Njëra nga OJQ-të më specifike për depërtimin e sigurtë dhe penetrimin në hapësirën shqiptare të islamit politik, ishte pa dyshim Fondacioni “QENDRA E CIVILIZIMIT ISLAM”, me seli në Shkup (2013). Emri i Qendrës flet vetë: “Qendra e Civilizimit Islam” (FOCIC). Përbërja e Këshillit drejtues të kësaj Qendre është shumë sinjifikative. Disa prej tyre tashmë janë të njohur për rolin e tyre destruktiv në Prishtinë e Tiranë.
Në këto rrethana delë në skenë fuqishëm Lëvizja BESA, që de fakto më rezulton AntiBESA. Prapa saj qëndron Qendra e Civilizimit Islam dhe natyrisht Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti). Lëvizja BESA, për herë të parë, në gjithë këtë kapërcyell të tranzicionit shqiptar, që karakterizohej me homogjenizim të spektrit politik në rrafshin gjeostrategjik dhe me orjentim të qartë perendimor, bëri çarjen e parë, por të thellë. Duke qenë si dorë e zgjetur e Erdoganit, respektivisht neootomanizmit si idologji dhe islamit politik edhe si religjiion edhe si akt politik, de fakto , ajo nuk ngurron të shprehet për variantin rezervë të orjentimit gjeostrategjik, që gjoja do të duhej ta mirrnin shqiptarët në konsideratë – Lindjen.
Në fakt, paraprakisht ishte Presheva që ishte shndërruar në eksperiment politik nga ana e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim. Ky akt, ka gjasa reale të ketë ndodhur në marrveshje me Beogradin. Takimet e shpeshta të kryetarit të Preshevës me shefin e BIA-së të Beogradit, ma forcojnë edhe më shumë këtë hipotezë. Në këtë kuadër, meqë eksperimentia “Preshev”, Erdoganit dhe shërbimit sekret serb tok, ju kishte rezultuar me sukses të plotë, pse të mos vazhdohej tutje me Maqedonin?!
Lëvizja BESA në këtë rast po i shërben neootomanëve disi ngjashëm, si Batalioni SKANDERBEG i Kosovës, që ju kishte shërbyer nazistëve në kohën kur në kry të qeverisë kuislinge në Tiranë ishte Rexhep Mitrovica. Edhe themeluesit e atij batalioni të famshëm thirreshin në shqiptari, kishin bastardhuar madje edhe emrin e kryeheroit tonë, por në fakt ishin shndërruar në kolonë të pestë naziste.
Edhe Lëvizja BESA operon jashtëzakonisht me sukses, duke u thirrë në traditën shqiptare, shqiptarizmën etj, por në fakt shërben si batalion special i islami politik. Si nazistët shqiptar që kishin tumirë themelimin e batalionit SKANDERBEG edhe këta që qëndrojnë prapa dhe në ballë të Lëvizjes BESA, de fakto janë produkti më bastardh i korpusit politik shqiptar.
Përqëndrimi i neootomanëve tashmë në Maqedoni, pa përjashtuar pretendimin e hapur për shtrirje gjithandej në hapësirën shqiptare, përmes këtyre zgjedhjeve që lamë pas në Maqedoni, u dëshmua se ishte tepër strategjik. Ky depërtim i islamit politik (një lloj fashizmi specifik) në trungun politik shqiptar, më sjell në mendje fjalimin e famshëm të pastorit Martin Numeller, tek shpjegoi shkaqet reale të fitores së nazizmit. Tek kishte reflektuar mbi atë se çka e bëri të mundur depërtimin e nazizmit si ideologji tek masat gjermane ai ishte shprehur: Në Gjermani nazistët së pari u nisën kundër komunistëve dhe unë heshta, sepse nuk isha komunist. Pastaj ata u sulën kundër hebrenjve, dhe unë përsëri heshta sepse nuk isha hebre. Pas tyre, nazistët u sulën kundër sindikalistëve dhe unë heshta sërish, sepse nuk isha sindikalist. Mandej kundër katolikëve por unë heshta sepse isha protestant. Pastaj kundër meje, por deri atëherë askush nuk kishte mbetur për të protestuar për mua.
Platforma politike që na duhet
Partitë shqiptare kanë fituar 20 mandate: 10 deputetë ka BDI-ja, 5 Lëvizja BESA, 3 Aleanca për Shqiptarët dhe 2 PDSH-ja. Reagimet dhe prëpjekjet pas këtij debakli, qofshin nga Tirana qofshin nga Prishitna, më ngjajnë disi me reagimet e somnabulëve që kanë pësuar duke i rënë murit me kokë. Shih për këtë koketimin me Lëvizjen BESA unë jam i prirur ta cilësoj si kontribut shtesë në shtrirjen e kësaj të keqeje metastazuese në hapësirën shqiptare dhe natyrisht tepër të dëmshme për të ardhmen e shqiptarëve dhe Shqipërisë. Po aq e dëmshme do të jetë edhe heshtja e politikës shqiptare ndaj këtij fenomeni. Ndërkaq insistimi prë të koketuar në pushtet me këtë formacion politik, në emrë të bashkimit, unifikimit të spektrit politik shqiptar etj. është shprehje qartë e mungesës së guximit dhe moralit politik.
Prandaj përpjekjet për t’ jua imponuar një lloj “bashkimi” të sforcuar katershes parlamentare atje, më rezultojnë se janënus produkt i nonshalancës politike. Ndërkaq reagimi i liderit të BDI-së, respektivisht Ali Ahmetit dhe sidomos ai i Alenacës për Shqiptarët, respektivisht i Dr Zjadin Selës, më japin shpresë se ata do të dinë vetë të veprojnë në dobi të faktorit shqiptar në rajon, të faktorizimit të shqiptarëve atje dhe progresit politik drejt një vetëvendosjeje të brendshme.
Qëndrimi i prerë i liderit të BDI-së në raport me BESËN, duke e lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me Aleancën për Shqiptarët për një platformë të përbashkët, para se të hyjnë në bisedimet e pritshme me liderin e LSDM-së, Zaevin, mund ta korrigjonte humbjen e dëshmuar të palës shqiptare. Fakti se formimi i qeverisë së re është në duart e partive shqiptare, meqë as VMRO-ja e as LSDM-ja, do të mund të shfrytëzohej mirë për të korrigjuar edhe gabimet e së kaluarës së afërt. Për këtë ka nevojë për një platformë politike që do ta përgadiste faktorin shqiptar, por edhe Maqedonin për federalizimin e saj tashmë të pashmangshëm.