Të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK, do të votojnë “pro” ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, përfshirë edhe deputetin Ramiz Kelmendi, i cili një ditë më parë u shpreh kundër demarkacionit.
Kështu ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” një burim brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.
“27 deputetët e LDK-së do të votojnë marrëveshjen për demarkacion. Pra GP i LDK-së do të jetë unik me votën “për” demarkacionin, nuk ka dilema në këtë drejtim”, tha burimi i njëjtë.
Lidhur me këtë situatë “Gazeta Blic” ka bërë përpjekje që të marrë qëndrim nga vet deptueti Kelmendi, por ai ka refuzuar të përgjigjet në thirrjet e redaksisë, pavarësisht insisitmit.
Ndërkaq mbrëmë Kelmendi e ka bërë të ditur në emisionin “DPT të Fidani”, se ka pasur edhe kërcënime në familje nëse ai e voton këtë marrëveshje.
“Kam pasur edhe kërcënime personale, ndaj anëtarëve të familjes. I kanë çuar për të më thënë, edhe anëtarëve të familjes, se nëse babai yt voton demarkacionin, ki parasysh ku do të jesh ti”,tha Kelmendi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Tuitje Kelmendi ka shtuar se në seancën e sotme të Kuvendit, për Demarkacionin, ai nuk do të marrë pjesë.
“Nuk do të marr pjesë në seancën e nesërme, për arsye shëndetësore”, ka thënë Kelmendi.
“Kam tretman shëndetësor, në kohën kur fillon seanca”, është shprehur ai.
Siç mëson “Gazeta Blic” shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti në seancën e sotme për demarkacionin, para deputetëve do të adresojë shqetësimin e tij dhe të deputetit Kelmendi, për kërcënimin në familje nëse vota e tij do të jetë “pro” marrëveshjes, për çka edhe e ka arsyetuar qëndrimin kundër ky deputet.
Ndryshe, gjatë ditës se djeshme Hoti edhe zyrtarisht ka konfirmuar se janë unik deputetët e LDK-së karshi çështjes së Demarkacionit.