Ramizmi si debilizim i shoqërisë

Kasaphana elektorale që organizoi rilindja në 25 prill po fillon të prodhojë efekte shumë më shqetësuese sesa rrëmbimi i pushtetit për një mandat katër vjeçar. Justifikimi i suksesit të tretë të Ramës dhe domosdoshmëria e mbajtjes në këmbë të një pushteti të fituar përmes parave dhe bandave, po shpie deri në debilizimin e debatit publik në vend. Boll të kqyrësh emisionet e mbrëmjes në TV dhe nuk e ke të vështirë të kuptosh se publikut po i serviret një realitet alternativ.

Le të marrim një shembull.

Prej ditësh opozita, jo vetëm LSI apo PD, por edhe parti të tjera më të vogla, po flasin për një masakër elektorale të pa parë ndonjëherë. Dikush pretendon për pjesmarrje të krimit të organizuar në fushatë, dikush tjetër për blerje masive vote, dikush për fletë të prishura qëllimisht, për të plotësuar numrin rekord të 85 mijë votave të pavlefshme.

Pyetja që shtrohet është: A duhet të përbënte minimalisht kjo temë interesin e një debati serioz televiziv? Edhe në qoftëse këto pretendime nuk qenkeshin reale, edhe nëse ato kishin për qëllim justifikimin e humbjes nga Luli apo Monika, për të ruajtur karriget e tyre, a nuk duhej analizuar pretendimi i përfaqësuesve të më shumë se gjysmës së elektoratit shqiptar? A nuk duhej debatuar kjo temë qoftë edhe për ta zhbërë mitin e grabitjes së votës?

Deri më sot që flasim asnjë nga debatet “serioze” politike nuk ka pasur emision me titullin: “A u vodhën zgjedhjet”. Ato kanë preferuar tema si, a do shkakrohet Meta, a do dorëhiqet Luli, a do ketë koalicion të madh, a është demokratike PD.

Mjafton kjo frikë e përhapur se mos gërvishtet varaku i pushtetit, apo autoçensura që i thërret së brendëshmi aktorët e studiove: “ç’të duhet ty, ti do e rregullosh këtë vend”, – për të kuptuar gjendjen ku ka degraduar debati publik.

Por, ka edhe më keq sesa kaq. Pra, më keq sesa shtrëmbërimi i rezultatit në kuti, apo ushqimi i qytetarëve me debate “fake” që i mbivendosen qëllimisht atyre reale.

Mjafton për këtë të shohësh korin laraman të mbrojtësve të Ramës, të përbërë, ca nga përfitues tenderash e parash publike, ca nga servilë të të gjitha pushteteve dhe ca nga idiotë të dobishëm, që pretendojnë se po luftojnë ende traditën e berishizmit. Eshtë interesante të qëmtohen argumentat e tyre.

Ata thonë se opozita nuk duhej të ngrinte grupe të gatshme për mbrojtjen e votës, por harojnë që këto ishin vetëm rrjedhim i sekuestrimit të kartave të identitetit në këmbim të parave, që po bëhej ditën për diell në qendrat e qyteteve.

Ata thonë se opozita duhet të besojë tek institucionet dhe harojnë që SPAK dhe Drejtori i përgjithshëm i policisë, favorizuan bandat në krimin e Elbasanit.

Ata çirren dhe skandalizohen kur përmendin vetgjyqësinë, por nuk shqetësohen aspak për banditët që ikin në drejtim të paditur apo për krimet që mbeten pa ndëshkuar.

E njëjta fabul absurde përsëritet edhe për historinë e shkarkimit të presidentit. Të gjithë që vënë kujën për rëshkitjen e tij nga korniza kushtetuese, as nuk duan ti’a dinë për abuzimet e qeverisë me paratë e tërmetit, me punësimet sezonale, me bonusin e bebeve të shpërndarë në fushatë, me përdorimin e të dhënave personale, me kërcënimin e administratës në funksion të votës. Pra logjika është: qeveria ka të drejtë ta shkelë ligjin, kundërshtarët e saj duhet të jenë të përpiktë me të.

I njëjti nonsens përsëritet edhe kur në debate përdorët argumenti i Tom Doshit apo Aqif Rakipit, si anomali që nuk kanë asnjë logjikë politike. Analistët pro Rama, që situata e re i ka degraduar në kamikazë të Tomës dhe Qifes, të thonë se rezultati i tyre është real, pasi ata kanë rreth të gjërë, shokë dhe miq.

Edhe kur dikush i vë përballë një precedenti skandaloz, si ai i përdorimit të “komitetit të ekpertëve anti kovid” për të mbyllur kufirin me Greqinë, me qëllim pengimin e votës së emigrantve, përgjigjja është rrënqethëse: pse do lejonin Vangjel Tavon të mbushte autobuzë me rektutët e tij?

E pra, në këtë pikë kemi mbërritur pas 25 prillit.

Publikut po i imponohen debate fallco. Pushteti ka rekrutuar kamikazë, të gatshëm të heqin dorë nga dinjiteti dhe logjika minimale për të marë rolin e violinës së parë në to. E gjithë kjo bën që shoqëria të kyçet në një realitet imagjinar, shumë më të largët sesa shqetësimet e saj reale.

Dhe ky me sa duket do të jetë problemi relal i mandatit të tretë. Jo vota e vjedhur. As vazhdimi i abuzimit me dhjetë oligarkë dhe shpërndarja e parasë për ta. As shkatërrimi drejtësisë që po kthehet më keq se në kohën e plepave. Me to tashmë jemi mësuar.

Ekuacioni ka ndryshuar. Sepse një pushtet ilegjitim nuk mund të mbrohet asesi nga një fabul logjike. Ai ka nevojën e absurdit për tu mbajtur në këmbë. Atij i duhen partizanë që të linçojnë viktimat para agresorëve; Që ulërasin për pasojat, pa parë shkaqet; Që skandalizohen nga ai që kërkon të mbrohet kur nuk ka ligj dhe jo nga ai që e shkel atë.

Në fakt, nuk ka se si të jetë ndryshe. Aty ku pluralizmi politik kthehet në farsë edhe ai i ideve nuk mund të mos pësojë të njëjtin fat.

Një fabul të tillë, që e kemi ende të freskët nga historia jonë, po e shohim në forma të ndryshme edhe në Rusinë e Putinit apo në Turqinë e Erdoganit. Edhe Ramizmi është në të njëjtën rrugë. Ai sapo ka filluar debilizimin e debatit publik, duke e parë si të vetmin mjet për të sunduar një shoqëri të ligështuar dhe pesimiste që i ka ulur armët e rrezistencës.

 

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme