Ramush Haradinaj, beteja e fundit për Kosovën

Autor: Dritan Hila

Kush i mban mend vitet ’80 , kujton lajmet e përditshme që citonin zbrazjen e Kosovës nga burrat që merrnin rrugët e kurbetit. Nisja ishte nga qendrat e qyteteve kosovare dhe destinacioni Zvicra ose Gjermania. Aso kohe intelektualët dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e denoncuan si spastrim etnik të heshtur.

Krahina e cila kishte humbur autonominë dhe qeverisej me dorë të hekurt nga Beogradi, nuk ofronte asgjë për rininë e saj.
Në një nga këta autobuzë hipi edhe Ramush Haradinaj, për të përfunduar në Zvicër, ku bëri punët që presin emigrantin. Dhe si çdo i ri i cili gjendet i margjinalizuar nga shoqëria, dhe për më tepër kandidat për të mbetur pa atdhe, u lidh me disa të rinj të tjerë të cilët kishin si ideal një përzierje nacionalizmi, enverizmi, marksizmi dhe si fill i kuq i përshkonte urrejtja për fqinjin e tyre serb. Ishte LPK, akronim i Lëvizjes Popullore të Kosovës, ajo nga më vonë do të zinte fill Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe ajo Clirimtare e Maqedonisë dhe nga do të dilnin më vonë emrat që do të bëheshin protagonistë të fundshekullit të shkuar dhe ende sot në shekullin e ri. Një ndër këta ishte edhe Ramushi me pseudonimin Smajli. Pseudonim që ishte emri i xhaxhait të tij, dënuar me 10 vjet burg si udhëheqësi i organizatës sekrete “Komiteti i Deçanit”, degë e organizatës së Jusuf Gërvallës, i vrarë me porosi të shërbimit sekret jugosllav.
Duhej të vinte viti 1997 që Ramush Haradinaj të merrte pagëzimin e zjarrit. Ne majin e vitit 1997, pas vrasjes ne 31 janar 1997 te Zahir Pajazitit, drejtues i Shtabit Qendror Operativ te UCK-se, për të fuqizuar aktivitetin e saj, nje grup prej 10 vetesh, me kerkese te Adem Jasharit synojne te futen ne Kosove. Grupi udhehiqej nga Fehmi Lladrovci dhe drejtohej drejt Kosoves nga vëllezerit Ramush dhe  Luan Haradinaj , shef i sektorit te logjistikes te UCK-se. Grupi bie ne prite dhe vritet Luani, plagosen Rafet Rama, Ilaz Kodra dhe Fehmiu.
Në 27 Nëntor 1997, vritet nga policia serbe mësuesi Halil Geci. Të nesërmen në 28 Nëntor, ditën e varimit të tij që është edhe dita e shenjtë e shqiptarëve, tre njerëz të veshur me uniforma e stema të UCK, shpallin ekzistencën e saj dhe luftën e armatosur kundër okupatorit serb. Ata ishin Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj, vëllai tjetër i Ramushit.
Dimri i viteve 97-98 ishte ai i ofensivës dimërore serbe e cila shpresonte të mbyste në djep rezistencën shqiptare. Ndërkohë ishte zona kufitare e Kosovës me Serbinë e quajtur Metohi nga ata dhe Dukagjin nga vendasit, teatri më nevralgjik i luftimeve. Ajo ishte jetike për palët, pasi UCK merrte furnizimet me armë dhe njerëz, ndërsa armata serbe bllokonte furnizimin e tyre. Zona komandohej nga Lahi Ibrahimaj, djali i dajës i Ramushit. Kjo deri në Mars 1998, kur komanda kalon në duart e Ramushit. Ishte beteja e Gllogjanit që vuri në pah lidershipin e Ramushit. Pas vrasjes së Adem Jasharit dhe familjes së tij në 5 mars 1998, në 24 mars, me qindra forca policore dhe ushtarake serbe të ndihmuara nga mjete të blinduara rrethuan Gllogjanin kështjellë e klanit Haradinaj. Ramushi, bashkë me babanë Hilmiun, vëllezërit Daut, Shkëlzen, Enver dhe Frashër, të ndihmuar edhe nga militantë të tjerë të UCK i bëjnë ballë sulmit duke dalë nga rrethimi dhe shkaktuar një disfatë strategjike serbëve. Përfundimisht Dukagjini doli nga kontrolli serb, duke e bërë zonën një bazë logjistike për zonat e tjera operative të krahinës për luftën e ardhshme.
Pranvera do të sillte një rritje të aktivitetit të UCK, falë kjo edhe traditës luftarake të vendasve, terrenit të ashpër malor dhe afërsisë me Shqipërinë. Ndërkohë operativë të shërbimeve sekrete perëndimore kishin marrë kontakte me komandantët në terren ku Ramush Haradinaj dhe njerëzit e tij  rezultonin më efektivët.

Për shkak të përplasjeve mes CIA-s dhe Departamentit të Shtetit, Shtetet e Bashkuara ende nuk kishin përcaktuar një pozicion definitiv, ndërsa situata në terren bëhej gjithmonë e më e rëndë. Ushtria serbe kishte filluar raprezaljet mbi civilët. Masakrat e Abrisë dhe më vonë ajo e Reçakut, bindën fuqitë perëndimore se Miloshevici ishte nga raca e politikanëve që mund të mbijetonte vetëm nëpërmjet konfliktit.

Duhet të vinte marsi i viti 1999 që NATO të fillonte bombardimet dhe në qershor të po këtij viti, Miloshevici pranon kushtet e saj dhe tërheqjen nga Kosova.
Lufta mbaroi, por telashet për Ramush Haradinaj sapo kishin filluar. Gjatë luftës i ishte vrarë një vëlla tjetër, Shkëlzeni. Ndërsa vëllai tjetër, Enveri do të vritej më vonë në një atentat. Ndërkohë UNMIK do të arrestonte dhe më vonë dënonte vëllain tjetër të tij, Dautin. Por shënjestra e Prokurores së Hagës për krimet e luftës Karla del Ponte, ishte pikërisht Ramush Haradinaj. Në disa faqe të librit të saj “Gjuetia” ajo merret pikërisht me Ramushin duke e akuzuar për ngjarjet e liqenit të Radoniqit dhe vrasjen e disa civilëve të cilët ishin gjetur të vrarë dhe gjymtuar në puse në fshatrat e zonës, ku vepronte Haradinaj. Bashkë me të u akuzua edhe Lahi Ibrahimi.
Por akuza kishte shumë të çara që fusnin ujë. Trupat e gjetur në liqenin e Radoniqit ishin zbuluar nga mjekë ligjorë jugosllavë në përbërje të ushtrisë serbe gjatë raprezaljeve të saj në zonën e Dukagjinit, të komanduar nga gjeneralë serbë të cilët më vonë u akuzuan nga Haga për krime lufte. Ky fakt hedh dyshime të mëdha për një tjetër inskenim.

Dyshim i cili përforcohet kur autoritetet serbe të kohës, pavarësisht akuzave që ngritën, nuk lejuan ekspertë ligjorë ndërkombëtarë si Helena Ranta të inspektonin vendin e ngjarjes. Gjithsesi analiza e mëvonshme nxori në pah se shumë nga 34 trupat e të gjeturve në fundin e liqenit, ishin ekzekutuar në vend tjetër dhe transportuar më vonë në vendin e zbulimit, duke hedhur hije të forta dyshimi se ishte e organizuar nga shërbimi sekret serb. Asgjë për tu çuditur, nëse kujton se dy njerëz me maska kishin qëlluar dhe vrarë 6 serbë në klubin Panda në Pejë, masakër e organizuar në të njëjtën periudhë me ngjarjet e Radoniqit, nga shërbimet sekrete serbe, për të fajësuar UCK-në.
Haradinaj si politikan ka ditur të jetë njeri i kthesave të forta. Ishte ai që u bë kryeministër në koalicion me LDK e cila nga pjesëtarët e UCK shikohej si koloboracioniste. Ishte Haradinaj që në një deklaratë befasuese, pranoi që Kosova ishte shtet edhe i minorancës serbe, duke ju shtrirë dorën e paqes përfaqësuesve të tyre. Dhe së fundmi ishte ai që pas kërkesës së gjykatës së Hagës, u dorëzua vullnetarisht.
A është arrestimi i Ramush Haradinajt një akt i pastër drejtësie?

Duke filluar që nga koha kur Kryeministër i Serbisë ishte Voisllav Koshtunica, sa herë Karla del Ponte i kërkonte dorëzimin e kriminelëve serbë, ai i kundërpërgjigjej se duhej të bëhej edhe inkriminimi i udhëheqësve të rezistencës kosovare.

Pavarësisht investigimeve të vazhdueshme të derisotme, ajo që ka mundur të dalë në dritë është vetëm një shtëpi fantazëm e quajtur Shtëpia e Verdhë në të cilën janë grabitur organe ku faktet e vetme janë hamendësime, dy shiringa, një copë garzë, një flakon qetësuesi, disa njolla gjaku në murin e shtëpisë dhe dëshmia e paqëndrueshme e të zotit të saj. Ndërkohë Haradinaj akuzohet për zhdukjen e dëshmitarëve, ku disa prej tyre janë vrarë me armë zjarri në kushte të panjohura, ku nuk përjashtohen edhe larja e hesapeve që mund të kishin këta me të tjerët. Por nuk mund të akuzohet, pse një prej tyre shtypet me makinë në Mal të Zi nga një pensionist i dehur. E vetmja provë që akuzon direkt Haradinajn është një letër e Tahir Zemaj, ish komandant i UCK dhe dëshmimtar i akuzës, ku shkruan “se nëse më ndodh gjë, atëhere autori është Haradinaj”. Shumë pak për të ngritur një akuzë të qëndrueshme.
Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij janë shpallur të pafajshëm dy herë nga gjykata e Hagës, juridiksionin e të cilës e njeh edhe Franca.
Atëhere pse ringrihet nga varri një akuzë e tillë?
Ramushin ka shumë armiq apo miq që duan ta shohin të vdekur.
Ndërkohë kryeministri serb Vucic ka deklaruar se Prokuroria Speciale serbe që ka dënuar disa autorë krimesh të dorës së dytë, është e aftë të gjykojë me paanësi edhe Haradinaj. Përvecse hipokrizi, kjo është bërje nul e pavarësisë së Kosovës, pasi Haradinaj trajtohet si shtetas i Serbisë. Por ka edhe rrezikun që kundërshtari më i egër i serbëve në luftë, të përfundojë në burgjet nga të cilat rrezikon mos dalë i gjallë.
Ashtu si Vucic, shumë kundërshtarë të tij politikë brenda Kosovës por edhe Tiranës, duan që të eleminojnë një politikan këmbëngulës me duart e drejtësisë.
Por tashmë përdhosja e emrit të Ramush Haradinajt nuk është më çështje personale ashtu si liria e tij është diçka më shumë se pafajësia e tij. Kjo është një betejë që ish Ramboja i UCK duhet ta fitojë. Jo vetëm për vete, por edhe për kauzën e shenjtë të shqiptarëve./dritare.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme