Ramushi në Francë, fletëarrest ndaj Albin Kurtit, sinjale që do të votohet Demarkacioni?

Sot policia e Kosovës ka lëshuar një fletë arrest për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili siç ka njoftuar subjekti i tij politik, sapo ka arritur në Austri ku do të zhvillojë takime me diasporën shqiptare.
Në ndërkohë, Qeveria e Kosovës pritet që javën e ardhshme ta dërgojë në Kuvend për ratifikim demarkacionin e kufirit me Malin e zi.
Kështu të paktën janë pajtuar kreu i kuvendit Kadri Veseli dhe Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Hoyt Brian Yee, gjatë një bisede telefonike.
Në njoftimin për media thuhet se ata janë pajtuar që është koha për vendime të mëdha.
“Gjatë bisedës me diplomatin amerikan, Kryetari Veseli u shpreh se institucionet e Kosovës duhet të marrin vendime të mëdha, sepse, në të kundërtën, ato e humbin kuptimin. Në këtë drejtim, ata u pajtuan që Demarkacioni të procedohet nga Qeveria për miratim në Kuvend javën tjetër. Veseli dhe diplomati amerikan Hoyt Yee kanë biseduar edhe për reformat në drejtësi”, theksohet në njoftimin për media.
Në opinion, votimi ose jo i Demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi konsiderohet edhe si një prej temave e cila do të përcaktojë të ardhmen e koalicionit qeverisës LDK – PDK.
Këto ngjarje politike janë duke u zhvilluar në një periudhë kur edhe lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj, që njihet si një prej kundërshtuesve më të zëshëm të demarkacionit në versionin aktual qëndron i ndaluar në Francë./Sakte.net