RAPORTI I KE-SË: KËTO JANË RASTET E ZYRTARËVE TË AKUZUAR QË NDIKUAN NË LIBERALIZIMIN E VIZAVE

Aktakuzat e ngritura ndaj dy ministrave, një deputeti dhe katër kryetarëve të komunave janë cilësuar si raste për përmbushjen e kriterit të luftimit të korrupsionit nga Komisioni Evropian, në raportin e përpiluar nga ky komision që është publikuar sot me rastin e dhënies së rekomandimit pozitiv për heqjen e vizave të Kosovës.

Në raportin e KE-së janë veçuar edhe aktakuzat ndaj shefit të Organit Shqzrtues të Prokurimit (OSHP), tre sekretarëve të Përgjithshëm nëpër ministri dhe një ish-kryetari të Gjykatës Kushtetuese.

Mirëpo, në raport nuk janë bërë të ditur emrat e zyrtarëve të akuzuar që janë përmendur si raste të shënjetëruara për përmbushjen e kriterit për viza. Ndërkaq, disa prej rasteve dihen, siç është rasti i ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili ishte akuzuar dhe pastaj liruar nga akuzat.

“Nga 42 raste, janë ngritur aktakuza në 33 raste, ndërsa hetime janë duke u zhvilluar në 5 raste dhe 4 raste të tjera janë hedhur poshtë në fazën paraprake. Nga 33 rastet, 23 raste kanë të bëjnë me korrupsion (me 145 persona të akuzuar) dhe 10 raste të krimit të organizuar (me 151 persona të akuzuar)”, thuhet në raportin e KE-së, që i është dërguar edhe Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Ministrave, raporton Insajderi.

“Në mesin e të akuzuarve janë për shembull: dy ministra, shefi i Organit Shqyrtues të Prokurimit, tre Sekretarë të Përgjithshëm të Ministrive, katër kryetarë komunash, një ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, një deputet, një Kryetar Gjyqësor dhe një Prokuror i Departamentit të Krimeve të Rënda”, thuhet në raport.

Po ashtu, vlera e përgjithshme e aseteve të sekuestruara në këto raste vlerësohet të ketë qenë 13 milionë euro. /Insajderi.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme