Numri i njerëzve që vuajnë nga uria është rritur gjatë tre viteve të fundit, sugjeron një raport i OKB-së. Sipas analizës, në vitin 2017, 821 milionë njerëz në mbarë botën nuk ushqeheshin mjaftueshëm, rreth një në nëntë persona.
Dhe pothuajse 151 milionë fëmijë, nuk rriten normalisht nga kequshqyerja. Raporti, Gjendja e Sigurisë Ushqimore në Botë, thotë gjithashtu se kequshqyerja po kontribuon në problemin e rritjes së obezitetit në botë, me një në tetë të rritur, më shumë se 672 milionë, që klasifikohen si mbipeshë.
Autorët vërejnë se frekuenca e ngjarjeve ekstreme natyrore si përmbytjet, nxehtësia, stuhitë dhe thatësirat, është dyfishuar që nga fillimi i viteve 1990.
Dhe ata thonë: “Raporti jep një mesazh të qartë se ndryshueshmëria e klimës dhe ekspozimi ndaj ekstremeve klimaterike, të shpeshta dhe intensive po kërcënojnë të dëmtojnë dhe madje të ndryshojnë arritjet e bëra për t’i dhënë fund urisë dhe kequshqyerjes”.
Uria është një problem më i madh në vendet ku sistemet bujqësore janë të ndjeshme ndaj ndryshimeve në reshje dhe temperatura, dhe ku shumë njerëz ushqehen vetëm nga aktivitetet e tyre bujqësore.
Autorët thonë: “Ndryshimet klimatike, përveç konfliktit dhe dhunës, janë një nxitës kryesor i urisë globale dhe një nga shkaqet kryesore të krizave të rënda ushqimore”.
Dhe ata bëjnë thirrje për veprime të koordinuara globale dhe vendore, në mënyrë që vendet të bëhen më imune ndaj fatkeqësive të lidhura me klimën.