Raporti i Progresit nuk pritet të jetë pozitiv për Kosovën

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, i cili do të publikohet në javën e dytë të muajit prill, sipas njohësve të integrimeve evropiane dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nuk pritet të jetë shumë pozitiv.

Komisioni Evropian publikon një herë në vit të gjeturat, që njihen si Raporti i Progresi, për vendet e Ballkanit Perëndimor, me anë të të cilit mat përparimin e këtyre vendeve drejt integrimeve evropiane dhe përcakton detyrimet për të përmbushur kriteret, raporton REL.

Sivjet, data e publikimi është thënë se do të jetë 17 prilli.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq që jetonin në Kosovë dhe deportimi i tyre në Turqi, sipas Avni Mazrekut, profesor i së Drejtës Evropiane, do të reflektohet në gjetjet që do të publikohen në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, pjesa për Kosovën.

Ai thotë se në një vend ku, siç e quan ai, ka kaos të ndërveprimit institucional, nuk mund të pritet raport pozitiv.

“Kosova nuk do të kualifikohet krejt mirë në këtë raport, sepse në ato tri drejtimet, në të cilat shteti vlerësohet nga raportet e Komisionit Evropian, janë kriteri politik, ekonomik e juridik. Te kriteri politik, pikë kritike në vend është stabiliteti institucional dhe besueshmëria në institucione dhe normalisht një veprim i tillë ku nuk përfillen procedurat, nuk përfillen ligjet në fuqi të Kosovës ku ka mjegulli dhe kaos të ndërveprimit institucional, nuk mund të pritet një kualifikim pozitiv për Kosovën, dhe kjo shkon në drejtimin e kualifikime negative. Po ashtu, ka hapësira tjera përveç këtij rasti, që Kosova të mos kualifikohet pozitivisht sa i përket kapaciteteve institucionale”, vlerëson Mazreku.

Të enjten e javës së kaluar në Kosovë janë arrestuar dhe më pas deportuar për në Turqi gjashtë shtetas turq. Pesë prej të dëbuarve ishin punonjës në shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk.

Erdogan e fajëson klerikun Gulen për një përpjekje grusht-shteti në Turqi më 2016.

Udhëheqësit e institucioneve qendrore në Kosovë kanë thënë se nuk kanë qenë në dijeni të këtij operacioni. Për këtë fakt, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të premten ka shkarkuar nga detyra ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe shefin e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Driton Gashi.

Në anën tjetër, Blerta Deliu-Kodra, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky raport do të dëshmojë shumë gjëra dhe në të do të jenë disa qartësime që i nevojiten Kosovës në mekanizmat e saj në sundimin e ligjit dhe fushat tjera.

“Raporti do të jetë raport i pasqyrimit të gjendjes reale në Kosovë dhe nuk pres të jetë shumë pozitiv. Do të ketë efekte pozitive në disa veprime që kanë ndërmarrë institucionet e Kosovës, siç është demarkimi i kufirit me Malin e Zi, por ne e kemi parasysh që një kohë të gjatë Kosova ka qenë e përfshirë në procese zgjedhore, pastaj zgjedhjet kanë penguar edhe marrjen e hapave të nevojshëm për t’i adresuar problemet që kanë pasur institucionet e vendit”, thotë ajo.

“E shoh si progres të lehtë, por mendoj se neve si institucione, na mbetet barra që të përkushtohemi dhe të punojmë më shumë që t’i përmbushim sfidat që do të jenë në Raportin e Progresit për Kosovën”, thekson deputetja Deliu- Kodra.

Ndryshe, raporti i fundit i Progresit pati ngritur shumë vërejtje për punën e institucioneve. Aty ishin ngritur shqetësime në lidhje me përplasjet e vazhdueshme në Kosovë mes të partive politike në pushtet dhe opozitë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme