Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Šoltes, në një intervistë për Indeksonline, ka thënë se qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që kanë mbetur të izoluar për shkak të regjimit të vizave.
Ai thotë se janë duke punuar që sa më shpejtë të hiqen vizat dhe të realizohet lëvizja e lirë në zonën shengen për kosovarët.
‘’Unë shpresoj dhe mbështesim idenë e heqjes së vizave për Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur. Por në këtë pikë, është në anën e Kosovës që të arrijë kërkesat e vendosura nga BE, të cilat gjithashtu janë pajtuar dhe nënshkruar nga udhëheqësit e Kosovës në të kaluarën. Shpresoj që zgjidhja të gjendet së shpejti për hir të qytetarëve të Kosovës, sepse është e nevojshme.’’
Šoltes ka ripërsëritur qëndrimin e BE-së, se para se të arrihet nënshkrimi për lëvizje të lirë, Qeveria e Kosovës duhet të gjejë konsensus në parlament për arritur ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi si dhe të tregoj rezultate në luftën kundër korrupsionit.
Ai gjithashtu në këtë intervistë ka shpjeguar se Qeveria e Kosovës duhet të filloi të stabilizoi aspektin socio-ekonomik, kryesisht për të përmirësuar standardet e jetesës.