Gazetare: Ajnur Bafqari
Goran Grujevski, Toni Jakimovski, Nikolla Boshkovski dhe Valentina Simonovska janë shpallur fajtorë në rastin “Fortesa” i cili lidhet me shkatërrimin e pajisjeve të përgjimit. Gjykata Penale Shkup, e liroi nga akuza ish ministren e punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, pasi siç tha gjykatësi i lëndës, Ilija Trpkov, ajo nuk ka marrë pjesë në shkatërrimin e pajisjeve bashkë me të akuzuarit e tjerë.
“Jemi të kënaqur nga gjykimi, presim që apeli ta konfirmojë të njejtën dhe më tej, shpresojmë se nëse jo me procedurë penale, atëherë me procedurë civile do të konfirmohet kush e ka bërë përgjimin dhe të kompenzohet dëmi jomaterial që Gordana Jankulloska e ka pasur si një prej viktimave më të mëdha të përgjimit… Gordana Jankullovska kërkon po”, tha Vllatko Ilievski, Avokati i Jankullovskës.
Për ish-shefin e arratisur të Drejtorisë së pestë të MPB-së, Goran Grujevski, Gjykata shqiptoi dënim prej 14 vite e 6 muaj. Ai ngarkohet me veprën keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh. Ish punonjësi i DSK-së Nikolla Boshkovski, i cili poashtu është në arrati u dënua me 9 vite e 10 muaj, për të njëjtat vepra. Gjykatësi e dënoi me 3 vite burg, Toni Jakimovskin, ish shef në kabinetin e ish drejtorit të DSK-së Sasho Mijallkov.
Mbrojtja nuk është e kënaqur me këtë vendim dhe paralajmëroi ankimim.
“Por në raport me gjykimin për Toni Jakimovskin, prej asaj që na është theksuar nga ana e Gjykatës, duke lexuar pjesën dispozitive të aktakuzës, e cila paraqet burimin faktik të aktgjykimit, nuk jemi të kënaqur dhe në këtë drejtim sigurisht do ta ankimojmë”, tha Avokati Ljupço Shvrgovski, Avokat.
Ndërsa Valentina Simonovska, mori dënim të pezulluar prej dy vitesh, i cili mund të zbatohet nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale brenda 5 viteve.
Lënda “Fortesa” është mbetje e lëndës “Target-fortesa” për përgjimin masiv të paligjshëm, prej të cilit, për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal, vitin e kaluar, shumë vepra penale u vjetërsuan. Prej lëndës mbeti pjesa që ka të bëjë me shkatërrimin e pajisjeve për përgjim dhe falsifikimin e dokumenteve lidhur me shkatërrimin. Në lëndën Target-Fortesa, ish shefi i DSK-së Sasho Mijallkov fillimisht ishte i dënuar me 12 vite burg, por në ndërkohë falë ndryshimeve në Kodin Penal i’u vjetërsua lënda./Alsat.mk