Rasti i rrahjes së 11-vjeçares – OJQ-të për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve alarmojnë se dhuna po merr përmasa shqetësuese

Gazetar: Avni Tahiri

Ministria e Punëve të Brendshme ka zbardhur rastin e sulmit fizik ndaj një vajze 11-vjeçare nga Çairi, i cili ka ndodhur më 20 qershor në Shkup.

Sipas MPB-së, vajza është sulmuar nga tre bashkëmoshatare, ndërsa një tjetër ka filmuar ngjarjen me telefon dhe videoja është publikuar më vonë në rrjetet sociale.

Rasti është denoncuar në polici më 1 shtator nga babai i vajzës së sulmuar, i cili ka deklaruar se për ngjarjen ka mësuar nëpërmjet rrjeteve sociale, pasi vajza nuk ka treguar nga frika e një sulmi të mundshëm të përsëritur, shkruan Alsat.

Sipas Fatmire Ajdarit, nga Ambasada e parë e fëmijëve “Megjashi”, dhuna kibernetike është përhapur së fundmi kryesisht tek të rinjtë, dhe veçanërisht shpërndarja e videove në rrjetet sociale përbën një formë të kësaj dhune. Në raste të tilla, është e domosdoshme që viktimat të trajtohen nga psikologë për të tejkaluar pasojat psikologjike dhe izolimit social të mundshëm që vijnë pas shpërndarjes së materialeve të dhunës në rrjetet sociale.

“Në videon konkrete ne kemi dhunues të gjithë tjerëve përveç viktimës e cila është e dhunuar. Edhe ata që incizojnë janë dhunuese dhe në vend që të intervenojnë që të ndalet dhuna ata i bashkohen në këtë proces aq më tepër edhe ata të cilët e shpërndajnë në rrjetet sociale apo portalet e ndryshme dhe për ketë arsye është e rëndësishme që të punojmë në ngritjen e vetëdijes, qoftë tek fëmijët, prindërit apo institucionet që dhuna të parandalohet në aspektin që të raportohet”, tha Fatmire Ajdarit – Punonjëse paqësorë në “Megjashi”.

Sipas Ajdarit, dhuna nuk njeh moshë e as gjini por videot e dhunës ndërmjet të rinjve që shfaqen së fundmi, në të shumtën e rasteve janë vajza dhe kjo ngre alarmin për të marrë masa për veprim të menjëhershëm.

“Fatkeqësisht, videot të cilat shfaqen në të shumtën e rasteve janë vajza të cilat janë incizuar ose incizojnë njëra-tjetrën. Nuk do të kisha thënë që të edukohen vetëm vajzat por të gjithë për arsye se dhuna nuk njeh moshë e as gjini. Këto janë alarme për që kanë filluar të paraqiten ndërsa ne duhet të veprojmë për atë që nuk kemi vepruar më parë”, u shpreh Fatmire Ajdarit – Punonjëse paqësorë në “Megjashi”.

Për rastin e sulmit ndaj 11 vjeçares, nga MPB thonë se të miturat e përfshira dhe prindërit e tyre janë thirrur në stacion policor në SPB-Shkup dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të ngrihen kallëzime për veprat penale “dhunë” dhe “filmim i paautorizuar”./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme