Në seancën e radhës gjyqësore për rastin e Kumanovës kanë dëshmuar Mirsad Qerimi dhe Valdet Zekaj. Që të dy kanë dhënë dëshmi se si janë gjendur në rastin e Kumanovë dhe si janë bërë pjesë e grupit, që u përlesh më 9/10 maj në Kumanovë me forcat policoro-ushtarake të Maqedonisë. Mirsad Qerimi ka pohuar se është thirrur nga Beg Rizaj, nën pretekstin se i duhet për disa cështje teknike- t’i rregullojë disa kompjuterë, sepse Mirsad Qerimi kishte të mbaruar teknologji të informatikës, ndërkaq Valdet Zeka gjatë dëshmisë së tij tha se ka ardhur në Maqedoni, për ta mbrojtur popullin shqiptar nga padrejtësitë e sllavo maqedonëve, raporton gazeta Lajm.
“Beg Rizaj më ka ftuar. Në Prishtinë kam punuar në lokalin e tij, për nevoja teknike. Begu më tha se duhet t’i rregullojë disa kompjuterë. Më duket ishte 1 maj kur më ftoj të zbres poshtë para banesës dhe më tha se po shkojmë në Maqedoni dhe jemi nis. Në kufij disa morën uniforma dhe armë disa jo. Unë e pieta për cka është puna, ku do të rregullojë kompjuterë. Ai më tha të mos mërzitem se këta janë tanët. “Ti e kryen punën tënde dhe kthehesh” më tha Begi. Edhe në Kumanovë i thash se dicka nuk është në rregull, por Begi më tha se kjo nuk është puna ime”, veçon gjatë dëshmisë së tij Mirsad Qerimi.
Qerimi kujton se më 8 maj e ka pyetur prapë Beg Rizajn se çka u bë puna me kompjuterët?! “Nëse për dy ditë nuk do vinë, do të kthehesh”, e ka siguruar Begi.
Mirsadi është rrëfyer edhe për torturat pas dorëzimit.
“Pasi jam dorëzuar më kanë shtri në tokë dhe më kanë goditur. Më kanë pyetur si e kam emrin. Ju kam treguar se quhem Mirsad, pastaj ma kanë vënë revolen mbi kokë, kur u thash se e kam mbiemrin Qerimi atëherë polici ka tërhequr revolen”, rrëfen Qerimi.
“Më kanë marrë në pyetje pastaj edhe në stacion policor. Një polic më pat thënë “Pse nuk dinë Serbisht” dhe më ka rrahur. Polici me shenjë, me duar, më kanë treguar se Mirsad Ndrecajn e kanë vrarë”, tha Qerimi.
Qerimi theksoi se gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë. “Nuk kam pasur problem shëndetësore më herët. Problemi mu ka shfaqur pas 5-6 muajve paraburgim”, vërteton Qerimi.
Qerimi potencon se para se të vijë puna të dorëzimi u vranë dy persona. “Nisëm me rend të dalim të dorëzohemi. Kemi qenë unë, Begi, Mirsad Ndrecaj dhe një person tjetër nuk ia di emrin. Kur, si, nga kanë dalë ata pas meje nuk e di”, rrëfeu momentin e dorëzimit Qerimi.
Ai duke u përgjigjur në pyetjen e Landrit Rustemaj se a e ka parë Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj duke u dorëzuar ka thënë se ka parë vetëm Begun si i ka lëshua armët në tokë.
Valdet Zekaj, nuk e ka pranuar akuzën që ia ngarkon Prokuroria Publike.
“Nuk më intereson çka thotë Prokuroria Publike, sepse nuk e pranoj. Në këto troje shqiptare kam ardhur për shkak padrejtësive që i bëhen popullit tim”, ishte decid Valdet Zekaj.
“Kam qenë pjesë e luftës së 2001-shit. E bëmë një marrëveshje pas luftës, që kurrë nuk u zbatua… u bënë 10-11 vjet e më shumë dhe nuk patëm durim. Ju na thirrët! Unë dua ta shohë popullin tim si është më mirë. A nuk duhet të ketë prokurorë shqiptare apo gjykatës shqiptarë pse veç maqedon, ose mos vallë ju jeni më të mirë. Me Maqedoninë kam lidhje gjaku. Gjyshin e kam nga Koçani. Në masakrat që janë bërë 1912-20 aty ma kanë vrarë gjyshen. Gjyshja ma ka lënë amanet edhe erdha këtu. Unë i kam pyetur shokët a po na thirr populli, apo po shkojmë vet. Edhe psë është Koçani i gjyshes time, nëse nuk do populli nuk shkoj. Jam përshëndetur me familjen dhe jam nisur”, ka thënë mes tjerash Zekaj.
Zekaj në detaje ka treguar momentet e përfshirjes në grup që nga sulmi në Gushincë deri më përplasjen e grupit me policinë më 9 maj, në Kumanovë, raporton gazeta Lajm.
“Në stacionin e Gushincës, unë, Beg Rizaj, Beg Bajraj, Demë Shehu, …aty takuam 4 viktimat, i kemi shtri për toke dhe ua kemi marrë armët. Aty kam folur me një polic. Më tha se është shqiptar i Kumanovës, i thash të mos frikësohet. Ne nuk kemi rrahur aty asnjërin. Mirsad Ndrecaj aty ka bërë një deklaratë, por nuk e di pse nuk është transmetuar. Ishim marrë vesh të mos vijmë në Kumanovë pa dalë deklarata. Pastaj shkuam në Brezë me Sulejman Osmanin te një shtëpi. Aty takova Nasufin. Nasufi na tregoi se më një nënkulm kishte armë. Aty vet me veti thash se “ky është kali i Trojës” cka duhen aq pistoleta- 60 pistoleta në stacion policor. Në mbrëmje kemi shkuar në Malinë, kemi qëndruar 1 natë dhe jemi kthyer në Kosovë- në Viti. Unë isha kundër që të kthehemi në Kosovë, më vinte keq t’u lëmë sherrin këtyre të Brezës. Pastaj nga Vitia Mirsad Ndrecaj ka dhënë urdhër të kthehemi në Maqedoni”, sqaron Zekaj.
“Më 1 maj shkuam në Bellanoc. Prita që Bellanoca të bëhej Kumanovë. Ndejtëm aty një natë! Askush nuk pyet se në cilën shtëpi kemi ndejt. Aty ishte edhe një “kalë i Trojës”. Mes nesh gjithmonë besa është dashur të respektohet. Femra nuk është dashur të pranohen në radhët tona se femrat janë vetëm për lule”, deklaroi Zekaj.
“Pastaj shkuam në Kumanovë. Unë dola vet në një shtëpi tjetër. Unë cigaret edhe serbët s’mund t’i duroj. S’po mundem të flas mirë se dhëmbët i kam të thyera.
Aty kemi ndejt derisa u bë monoton dhe dy ditë përpara u fjalosa-shoqërisht me Mirsad Ndrecaj dhe i thash se çdo ditë e më tepër po na rrethojnë. Megjithatë Mirsad Ndrecaj më tha të mos mërzitem. Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj nuk kanë qenë komandantë, sepse edhe ata kanë pritur prej dikujt tjetër”, tregon më tutje Zekaj.
Zekaj gjatë dëshmisë së tij ka zbardhur edhe detaje nga dita kritike e 9 majit. “Jemi vetëmbrojtur sa kemi pasur mundësi. S’kishim rrugëdalje tjetër. Kujdeseshim edhe për civilët. Bënim gjithçka të mundur të mos ketë ndonjë civil të vrarë. Policë kemi mundur me vra shumë. Nuk kemi dashur. Shefi i tyre u fshehte, ndërsa kolegëve u thoshte që të ecin para. Kemi pasur shumë mëshirë ndaj policëve, mu dokshin se të gjithë janë shqiptarë. Në një moment kam kënduar “besa besë”, për tu tregu atyre se vëllai –vëllanë nuk e gjuan”, pohoi Zekaj.
Zekaj kujton se ka qenë kundër dorëzimit.
“As që kisha qef. Gjyshja ma ka lënë amanet që sllavëve të mos u besoj. Pash prej dritareve se si i malltretojnë ata që ishin dorëzuar. Pasi që u dorëzova mu afrua një polic shqiptar dhe më pyeti se pse nuk jam dorëzuar më parë dhe se a jam në dijeni se kemi vrarë 6 polic shqiptar. Ai i pari më ka goditur”, deklaroi Zekaj.