Shtator 2016 – Sakte.net 10:47
Auto: Ridvan Emini
Sot pritet që të vihet në votim Marrëveshja e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kjo marrëveshje e cila po kundërshtohet me krejt energjinë e mundshme të opozitës, është marrëveshje e cila përcakton fatin e Kosovës dhe Malit të Zi. Kur them që përcakton fatin, mendoj në humbjen e ‘luftës’ së Rusisë ndaj NATO-s në Ballkan. Rusia kundërshton fuqishëm pavarësinë e Kosovës, po ashtu ajo ka kundërshtuar edhe veprimet e Malit të Zi në lidhje me anëtarësimin e tij në NATO, madje këtë e ka kërcënuar fuqishëm pikërisht në ditën kur ka nënshkruar protokollin për anëtarësim me NATO-n. “Nëse Mali i Zi anëtarësohet në NATO, Podgorica hyn në kategorinë e caqeve potenciale të Rusisë”, është shprehur Andrej Klimov i cili është anëtar i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë i Dumës ruse, po ashtu edhe zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov, kishte thënë po atë ditë se “pranimi i Malit të Zi në NATO nuk i kontribuon sigurisë në Evropë, por, përkundrazi, mund të rrisë tensionet në kontinent”.
Të gjitha elementet të cilat po tentohen t’i mveshën Kosovës, të cilat do ta paraqisnin atë si një vend destabilizues për rajonin, rrjedhimisht edhe si një shtet të dështuar, janë në një formë apo në një tjetër të mbështetura nga Rusia dhe Serbia.
Të gjitha sukseset e Kosovës, tentohen të minimizohen, në mënyrë që t’i kontribuojnë teorisë se Kosova është shtet i dështuar. Madje, nëse mund ta konsiderojmë si një sukses fillimin e punimeve në revitalizimin e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe vizitën e ministres znj.Edita Tahiri dhe Kryterit të Mitrovicës së Jugut z.Agim Bahtiri në këtë urë, dhe kalimin e tyre drejt veriut të qytetit të Mitrovicës duke dhënë prononcime për media se ky është një sukses për Kosovën, pak orë më vonë është djegur restoranti ku edhe kanë qëndruar për kafe. Djegia e këtij restoranti natyrisht se është shumë e qëllimshme, dhe pas këtij akti qëndron shteti i Serbisë, ku është një ‘kujdestar’ i çdo veprimi që bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës, në mënyrë që çdo sukses të tyre ta njollos me ndonjë akt kriminal dhe t’i hup efektin.
Fuqia e Serbisë dhe ndikimi i saj në popullatën serbe të Kosovës është mjaftë e madhe. Në momentin kur pritet votimi i demarkacionit pas konfirmimit të numrave nga ana dy partnerëve të koalicionit, PDK-LDK, është pikërisht partneri tjetër i koalicionit, Lista Serbe, e cila me urdhër të kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka vendosur të bojkotojë seancën e sotme për votimin e marrëveshjes së demarkacionit.
Ky urdhër natyrisht se vije pikërisht pasi që ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi konsiderohet si një sukses i Kosovës dhe po në të njëjtën kohë edhe i Malit të Zi. Nga njëra anë Kosova forcon sovranitetin e saj, nga ana tjetër Mali i Zi do të bëhet pjesë e NATO-s në një afat shumë të shkurtër, duke bërë ndikimin e Rusisë të pamundur më ndaj këtij vendi, rrjedhimisht edhe ndikimin e Serbisë.
Andaj, ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacion në mes Kosovës dhe Malit të Zi, rrit sovranitetin e Kosovës nga njëra anë duke e bërë edhe të hapur ndaj BE-së, nga ana tjerr mundëson që Mali i Zi të bëhet anëtarë i NATO-s në një afat rekord, dhe nga ana tjetër do të bëjë të fuqishme NATO-n në Ballkan rrjedhimisht do të zbehë thuajse krejtësisht fuqinë e Rusisë në këtë regjion./ Sakte.net