Reagim i ashpër nga Lëvizja BESA/ Afrim Gashi: Nëse nuk zyrtarizohet gjuha shqipe, Maqedonia nuk do të ekzistojë

Deklarimet e qeveritarëve se nuk do të ketë zyrtarizim të gjuhës shqipe por vetëm avancim të saj, kanë ngjallur reagime të ashpra të Lëvizjes BESA.

I kontaktuar nga portali Sakte.net, deputeti dhe sekretari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi ka thënë se deklarime të tilla janë tërësisht të papranueshme dhe se ky subjekt politk në asnjë rrethanë dhe me asnjë kusht nuk do të lejojë zvarritjen e zyrtarizimit të gjuhës shqipe.

Në këtë pikë, e cila është pjesë edhe e deklaratës se përbashkët të partive shqiptare, Lëvizja BESA është e pakompromis, ka deklaruar deputeti Afrim Gashi
“Lëvizja BESA ka qenë e qartë dhe transparente në qëndrimet e saj që nga fillimi i bisedimeve për formimin e Qeverisë e deri tek dështimi i negociatave shkaku se pala maqedonase nuk pranoi asnjë kërkesë që ishte në interes të të drejtave të shqiptarëve. Lëvizja BESA ishte e palëkundur në kërkesën e saj për Ridefinimin e shtetit dhe mundësi e mirë për të reflektuar të gjitha forcat politike ishte që një herë e përgjithmonë të zyrtarizohet gjuha shqipe, qoftë përmes një ligji të posaçëm. Kjo do t’i hapte rrugë edhe të drejtave të tjera të shqiptarëve të Maqedonisë si etni shtetformuese në këtë shtet”, tha për Sakte.net deputeti Afrim Gashi.

Sipas tij, këto kërkesa dhe parime të Lëvizjes BESA për fat të keq hasën në vesh të shurdhër të mandatarit maqedonas.
“Zoran Zaev në vend të ardhmes së vendit me të drejta të barabarta, parapelqeu të qeverisë me ata politikanë shqiptare që ishin dhe janë shërbëtorë të politikave diskriminuese në emër të perfitimeve personale. Jo rastësisht, këta politikanë shqiptarë pranuan të qeverisin pa pasur marrëveshje të nënshkruar dhe publke. Sot, të njëjtit pushtetarë shqiptarë paturpësisht deklarojnë dhe e pranojnë haptazi se s’do të ketë zyrtarizim të gjuhës shqipe. Për më tepër, si shërbëtorë të devotshëm të Zoran Zaevit, e arsyetojnë këtë padrejtësi të madhe ndaj shqiptarëve duke u munduar ta fshehin të vërtetën se asnjë Qeveri nuk mund të ekzistojë pa pjesëmarrjen e forcave politike shqiptare.

Për deputetin Gashi një situatë e tillë nuk është e papritur dhe se ka qenë çështje kohe kur shqiptarët e Maqedonisë do të shihnin edhe një herë fytyrën e vërtetë të pushtetarëve shqiptarë që i kanë harruar qëmoti interesat e popullit shqiptar në Maqedoni.
“Njëjtë siç i legjitimuan politikat destruktive të Nikolla Gruevskit, sot me të njëjtin zell i shërbejnë një kryeministri tjetër maqedonas, i cili nuk i do shqiptarët e barabartë në këtë shtet”, ka thënë Gashi.

Megjithatë, sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA ka deklaruar se ky subjekt politik nuk do të qëndrojë duarkryq. Ai ka pasur një porosi për partitë në pushtet: Mos harroni zotërinj, ky shtet ose do të flet edhe shqip, ose nuk do të ekzistojë fare dhe për këtë përgjegjësia bie mbi ju!”, ka deklaruar Gashi.
Përndryshe, zëvendëskryeministri nga radhët e BDI – së Bujar Osmani paralajmëroi se nuk do të ketë zyrtarizim të gjuhës shqipe, por vetëm avancim të saj, tendecë kjo e përsëritur në vazhdimësi nga ky subjekt politik i cili bashkëqeverisi më shumë se një dekadë. Të njëjtin qëndrim e ka konfirmuar edhe ministri i shëndetësië, Arben Travari./Sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme