Disa vende, përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Japoninë shprehën “shqetësimin e tyre të thellë” dhe theksuan se nuk i pranojnë sanksionet që Izraeli ka zbatuar kohët e fundit ndaj administratës së Palestinës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Deklarata e përbashkët e dhjetëra vendeve anëtare të OKB-së dhe grupeve ndërkombëtare u publikua në llogarinë Twitter të Përfaqësisë Palestineze në OKB.
“Si vende anëtare të OKB-së, ne riafirmojmë mbështetjen tonë të palëkundur për ligjin ndërkombëtar dhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), gurët e themelit të sistemit tonë ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.
Ka “shqetësim të thellë” përballë vendimit që qeveria izraelite ka marrë për të zbatuar masa ndëshkuese kundër popullit palestinez, liderëve të tij dhe shoqërisë civile, pasi OKB-ja kërkoi opinion nga GJND, thuhet në deklaratë. Në deklaratë vihet në dukje se pavarësisht qëndrimit të vendeve lidhur me vendimin, është e papranueshme të vendosen masa ndëshkuese si kundërpërgjigje e kërkimit të opinionit nga GJND.
– Në deklaratë janë të përfshira edhe vende abstenuese
Përfaqësuesi i përhershëm i Palestinës në OKB, Riyad Mansour, në një deklaratë në radion shtetërore të Palestinës, tha se në përgatitjen e deklaratës së përbashkët kanë qenë në koordinim me disa vende.
Zyrtari palestinez tha se nga të gjithë kërkojnë që “të riafirmohet e drejta demokratike e çdo shteti për të shkuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe për të kërkuar çdo gjë që ai dëshiron në mënyrë demokratike dhe paqësore”.
Mansour tërhoqi vëmendjen se në mesin e vendeve që kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët, përfshihen edhe vende që kanë votuar abstenim ose kundër ndaj vendimit të Palestinës për shkuar në GJND.
Ndërkohë nga Izraeli nuk është bërë ende ndonjë deklaratë lidhur me çështjen,
Në mesin e vendeve që kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët janë Algjeria, Argjentina, Belgjika, Brazili, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Pakistani.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, më 31 dhjetor miratoi rezolutën e cila kërkon që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) të “japë mendimin e saj këshillues” rreth pasojave ligjore të pushtimit të territoreve të Palestinës nga Izraeli.
Ndërsa qeveria izraelite më pas më 6 janar mori një vendim që përfshin 5 sanksione kundër Palestinës, duke përfshirë ndërprerjen e miliona dollarëve nga fondet e taksave, ndalimin e planeve të ndërtimit në Bregun Perëndimor dhe ritërheqjen e “privilegjeve” nga zyrtarët qeveritarë.