Menjëherë pasi kryetarja e Këshillit Gjyqësor Vesna Dameva e dha dorëheqjen e saj të parevokueshme për shkak të, siç tha, presioneve politike dhe ndërhyrjeve të pushtetit në punën e këshillit, pati reagime të shumta. Vetë anëtarët e këshillit, të cilët dje në seancë urgjente duhej të zgjidhnin kryetarin e ri, ndër të tjera e tërhoqën këtë pikë me mendimin se vendimi i Damevës për dorëheqje ishte i papritur për ta. Reagoi edhe Qeveria, e cila dorëheqjen e cilësoi si të vetmin vendim të drejtë. Reagim pati edhe BDI-ja opozitare, e cila theksoi se dorëheqja e Damevës është pasqyrë e gjendjes alarmante në gjyqësor. Nga VLEN-i, përmes një komunikate për media, i kanë kujtuar BDI-së se Dameva është shkarkuar pikërisht në kohën kur ata ishin në pushtet. Dameva është zgjedhur kryetare e këshillit gjyqësor më 5 dhjetor të vitit 2022, më pas është shkarkuar më 26 prill 2023 dhe me vendim të Gjykatës Administrative është rikthyer në pozitën e kryetares së Këshillit më 4 janar të këtij viti. /Alsat.mk