Gazetar: Lluka Andrev
Një serë reagimesh në vend dhe në rajon lidhur me vendimin e autoriteteve të Maqedonisë se Veriut për të bashkë-sponsorizuar Rezolutën kundër gjenocidit të Srebrenicës në Kombet e Bashkuara. Tekstin e Rezolutës e mbështetën edhe Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Shqipëria, Sllovenia, Turqia dhe të tjerë. Ai bën thirrje që 11 korriku të jetë Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit. Pasi Ministria e Jashtme shpalli vendimin, reagoi ashpër kryetari i Lidhjes Demokratike Serbe në vend, Ivan Stoilkoviq. Ai drejtoi gishtin nga kreu i diplomacisë, Bujar Osmani. Sipas tij, kjo rezolutë shkon kundër vullnetit të popullit maqedonas. Ai nuk kurseu fjalët kundër vendimit. Ndërkohë Lidhja Demokratike Boshnjake, që hyri në koalicion me BDI-në, kërkoi që VMRO-DPMNE-ja të dënojë, siç thonë, gjuhën e urrejtjes të partnerit të tyre të koalicionit Stoilkoviq.
“Ai e quajti gjenocidin e Srebrenicës “Diznilend nekrofil”. Kjo është vetëm një provë tjetër se ata që duan të përfaqësojnë popullin jetojnë në kohë të errëta”, tha Admir Ujkanoviq – Lidhja Demokratike Boshnjake.
Politikanët serbë reaguan ashpër ndaj vendimit të Shkupit zyrtar. Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq, theksoi se hapi i Maqedonisë ishte mendjemadh dhe cinik. Ish-ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, i cili ndërkohë përfundoi në të ashtuquajturën listë të zezë amerikane, theksoi se, siç tha ai, maqedonasit e Veriut e dinë se zëri i tyre nuk do të thotë asgjë, as kur bëhet fjalë për emrin ose gjuhën e tyre, dhe aq më pak për serbët, kështu që ata të paktën mund të abstenonin, nëse nuk mund të mbështesin Serbinë. Ndërkohë, kreu i Republika Sërpska Milorad Dodik, në prani të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, tha sot se serbët e Bosnjës tani kanë filluar të shqyrtojnë seriozisht nëse do të vazhdojnë të jetojnë me myslimanët boshnjakë.
“Gjenocidi nuk ka ndodhur. Nëse do të kishte ndodhur, nuk do të bënin presion të vazhdueshëm mbi atë histori. Ata pastrojnë ndërgjegjen e tyre”, tha Milorad Dodik – President i Republika Srpska.
“Kjo është një temë që ndan thellë popujt e Ballkanit dhe këtë vend ku jemi. Nuk mund ta kuptoj se çfarë po bën me qëllim dikush nga jashtë për të shkaktuar konflikte shtesë. Nuk mund ta kuptoj se çfarë duan amerikanët, gjermanët dhe të gjithë të tjerët…”, u shpreh Aleksandar Vuçiq – President i Serbisë.
Rezoluta do t’i paraqitet Kombeve të Bashkuara të enjten dhe votimi është planifikuar për në 2 maj./Alsat.mk