Heshtje nga Vila Vodno për reagimet e ashpra në lidhje me faljet e presidentes Gordana Siljanovska Davkova, e cila për nder të festës së 23 Tetorit liroi nga burgu persona me dosje kriminale. Sipas opozitës, faljet kanë zbuluar lidhjen e ngushtë mes VMRO-DPMNE-së në pushtet, partnerit koalicionues ZNAM që udhëheqë me Ministrinë e Drejtësisë dhe nëntokës. Përskaj kërkesës së përsëritur nga presidentja për ta anuluar faljen, LSDM-ja, sot kërkoi llogari dhe nga Ministria e Drejtësisë, në kuadër të të cilës punon komisioni për falje, e që sipas procedurës i jep propozimin me emra Presidencës.
“Në këtë skandal të madh, roli i Ministrisë së Drejtësisë është kyç. Ministri i Drejtësisë nga Lëvizja ZNAM, patjetër të përgjigjen ndaj një pyetjeje të qartë. A ka dhënë Ministria e Drejtësisë mendim pozitiv për faljen e kriminelëve dhe narko bosëve. Ministri i Drejtësisë u detyrohet qytetarëve që të japë përgjigje pse hesht derisa skandali ka shpërthyer”, deklaroi Bogdanka Kuzeska, LSDM.
Për siç e quajnë skandalin me faljet, edhe partia E Majta kërkon përgjegjësi nga ministri i Drejtësisë Igor Filkov.
“Përgjegjësinë nuk guxon ta shmang as ministri i Drejtësisë nga ZNAM, Filkov, i cili opinionit dhe të burgosurve që presin në mënyrë të arsyeshme lirinë, është i detyruar t’u shpjegojë se çfarë propozime, gjegjësisht rrethana lehtësuese për nëntokën maqedonase ka dorëzuar deri te presidentja Siljanovska. Fillkov, nga ZNAM është i detyruar të tregojë dhe nëse në pajtim me Ligjin për Falje, ndoshta, ai vetë, sipas detyrës zyrtare, e ka ngritur procedurën për falje”, thonë nga Partia E Majta.
Bilall Kasami nga Lëvizja BESA, porositi që komisioni për falje të jenë më serioz në punën e tyre që të falen ata persona që vërtetë e meritojnë faljen dhe jo si ky rast i cili, sipas Kasamit mund të jetë jo i hijshëm për vetë vendimmarrjen që është bërë në kuadër të Presidencës.
“Unë besoj se presidentja do ta marrë seriozisht këtë çështje dhe do të marrë masa adekuate, nëse konfirmohen informatat e opinionit që disa nga ata persona, janë me precedent kriminal dhe nuk do të duhej të jenë në listën për falje”, deklaroi Bilall Kasami, Lëvizja BESA.
Alsat, kërkoi qëndrim nga Ministria e Drejtësisë, megjithatë ata nuk u përgjigjën.
Ndryshe, presidentja Siljanovska Davkova ka falur 10 persona më 22 tetor. Në mesin e tyre u gjet Shenoll Masllani, i cili para pesë vitesh u arrestua për drogë, sulm ndaj një policit dhe armatim. Presidentja, e ka falur edhe Akif Ravmanovskin nga Haraçina, i cili është pjesë e grupit kriminal “Baron”, ndërkaq ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje. Ravmanovski, ndonëse kishte qenë në burg, para dhjetë ditëve u përfshi në incident të armatosur ku mbeti i plagosur një 35-vjeçar. Për çudi edhe presidenti Stevo Pendarovski kishte falur, por pjesërisht, një pjesëtar tjetër të grupit Baron, për çka pati reagime të ashpra në opinion.
Sipas procedurës, të dënuarit kanë të drejtë të parashtrojnë lutje për falje, ndërkaq më pas vlerësim duhet të japë burgu ku i dënuari e vuan dënimin, ndërsa në Ministrinë e Drejtësisë formohet komision për falje. Propozimin, komisioni e dërgon deri te komisioni për falje i presidentit, ndërsa më pas vendimin përfundimtar e merr ekskluzivisht presidenti.
Ndonëse fjalën përfundimtare e ka presidentja, Siljanovska Davkova dje theksonte se vendimi ka qenë i Komisionit, i cili është i përbërë prej ekspertëve. Ajo theksoi se gjatë nënshkrimit të vendimit është udhëhequr vetëm për veprën që kanë kryer personat, disa prej të cilave, sipas presidentes janë interesantë, në kuptimin negativ të fjalës.
“Në rastin e parë, nuk e di si e kishte emrin, të jem e sinqertë. Vepra, aktgjykimi ishte një vit e tre muaj dhe vepra ka të bëjë me posedimin e paautorizuar të armës dhe pesë plumbave. Kjo është vepra. Sipas të gjitha gjasave janë udhëhequr nga kjo. Po e di se kush është ai personalitet, por unë flas për punën e komisionit. Po, personalitetet me të vërtetë janë interesante, në kuptimin negativ të fjalës. Kjo është fakt. Tani e shoh atë”, deklaroi Gordana Siljanovska Davkova, presidente. /Alsat.mk