Reagon AAK: Mbajtja në arrest e Haradinajt është paradoks

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas vendimit të një gjykate franceze për mbajtjen në paraburgim të kreut të saj, Ramush Haradinaj, derisa Serbia të bëjë një kërkesë zyrtare për ekstradimin e tij. Haradinaj është ndaluar të mërkurën në pjesën franceze të aeroportit ndërkombëtar Basel-Mulhouse, në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Serbia më 2004.

“Vendimi i autoriteteve gjyqësore të Francës që ta mbajnë në paraburgim ish-kryeministrin e Kosovës dhe Kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm”, thuhet në reagimin e lëshuar nga AAK, njofton Sakte.net

“Marrja e një vendimi të tillë në bazë të një fletarresti të Serbisë, për krimet e pretenduara për të cilat zoti Haradinaj, dy herë është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, flet për një vendim politik e jo gjyqësor”, ka thënë AAK.

Sipas partisë së Haradinajt, “për më tepër mbajtja në paraburgim e zotit Haradinaj, për t’i dhënë kohë Serbisë për të plotësuar dosjet e saj kundër tij, kur Franca e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe kur zoti Haradinaj është shtetas i Kosovës dhe jo i Serbisë, është paradoks”.

AAK u ka bërë thirrje autoriteteve të Francës dhe të Bashkimit Evropian, që të ushtrojnë gjithë trysninë e nevojshme ndaj Serbisë, që të distancohet nga ish regjimi i Millosheviqit dhe të heqë dorë nga fletarrestet e kohës së tij.

“Ne jemi të bindur se vendimi i sotëm për ta mbajtur në paraburgim Zotin Haradinaj do të korrigjohet shpejt dhe në mbështetje me parimet e drejtësisë ndërkombëtare, ai do të lihet i lirë të vazhdoj punën e tij”, përfundon reagimi i AAK’së./Sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme