Gazetar: Adnan Qaili
– Advertisements –
Pacientët me sëmundje të zemrës dhe sistemit të qarkullimit të gjakut e kanë patjetër të gjejnë një zgjidhje urgjente për të arritur tek Klinika e Kardiologjisë, shkruan Alsat.
Kufizimi i terminëve të rregullt ka bërë që pacientët të bredhin dyerve të klinikës. Mungesa e terminëve të lira ka ngritur alarmin tek pacientët në nevojë, duke u detyruar të marrin udhëzime me prioritet. Mbi 100 të tilla janë çdo ditë.
“Pres radhën për kontroll, nuk e kam këtu doktoreshën paska shkuar në kovid qendër a duhet të jetë në ambulantë, tani varet kur do më thërrasin sipas kompjuterit nuk mundet të hyjnë pa rend. Me pension minimal 10 mijë denarë që kisha 30 vjet stazh, edhe t’i qerasë, unë nuk mund të arrij ti blej barnat”, thotë një paciente.
“Kisha edhe të rregullt por kur më shtrëngon zemra vij me prioritet. Sa duhet të presësh për një shërbim? Për shembull 2 javë apo një muaj shkon deri aq”, thotë një tjetër paciente.
Autoambulancat thuajse çdo gjysmë ore sjellin nga një pacient në gjendje të rëndë. Njëri nga ta tha se është ndër mënyrat e shpeshta që për tu pranuar në klinikë duhet të transportohesh me urgjencë.
“Me ndihmë të shpejtë, madje na befasoi se erdhi shpejtë, ngaqë më herët pritej 4-5 orë deri sa vinin se nuk kishte automjete por për fatin tonë të mirë tani erdhi shpejtë”, u shpreh një pacient.
“Mua me kapi infarkti në Kumanovë më datë 21 natën dhe më sollën këtu më vunë bypass, të sollën me urgjencë këtu. Kjo dmth që nuk keni pasur kontrolle të rregullta? Nganjëherë vetë e kemi fajin sepse askush nuk mund të na shtyj me zor të vijmë në kohë, më parë ndjeva që diçka nuk është në rregull me mua, por mendova qe e kam nga puna, në fund doli se çështja është serioze”, theksoi një pacient.
Nga Klinika e Kardiologjisë thonë se sipas evidencës zyrtare për udhëzimet me prioritet janë realizuar rreth 6,000 kontrolle vetëm në dy muajt e fundit. Sipas drejtorisë së Klinikës situata me pandeminë ka kufizuar punën e doktorëve për terminë të rregullta.
“Klinika Universitare e Kardiologjisë së Shkup funksionon pa ndërprerë, por për shkak të masave për mbrojtje të pacientëve dhe të punësuarve, klinika zbaton urdhrat e Ministrisë së Shëndetësisë, përkatësisht vepron me numër të limituar të shërbimeve mjekësore”, thonë nga Klinika e Kardiologjisë.
Për momentin kjo klinikë është duke funksionuar me vetëm 8 ambulanta, duke respektuar terminët çdo 40 minuta për një pacientë, kurse në kushte normale për 20 minuta një pacient ka kryer ekzaminimet.
Kjo do të thotë se kardiologjia punon me kapacitet të plotë por me shërbime përgjysmë të reduktuara.
Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë që nga Marsi 2021 një pjesë e Klinikës është riaktivizuar tri herë si repart kovid me pacientë pozitiv nga virusi korona, në të cilin janë 30 shtretër për kurim spitalor./ Alsat.mk